Hoti: Vetëvendosja i ka mashtruar qytetarët për 15 vjet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se LDK-ja është kundër mashtrimit, e jo kundër partnerëve të shtetit të Kosovës.
Në një shkrim në llogarinë zyrtare në Facebook, Hoti e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosjes (LVV) që është në pushtet, për mashtrim të qytetarëve për 15 vjet.
“Forca politike që udhëheq me vendin i ka mashtruar qytetarët për 15 vite, sepse: – e ka kundërshtuar Planin e Ahtisarit që ka sjellë pavarësinë; – e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit që ka trasuar rrugën e integrimit evropian të Kosovës; – e ka kundërshtuar Marrëveshjen e Uashingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, e cila e ka sjellë njohjen nga Izraeli dhe përfitime të tjera; – e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi, pavarësisht thirrjes nga zyrtarët më të lartë të SHBA-së për të mbështetur atë, e sot e konsideron demarkacionin si çështje të kryer; – i ka kundërshtuar të gjitha marrëveshjet e dialogut në 10 vitet e fundit, disa prej të cilave kanë mundësuar shtrirje të sovranitetit në të gjithë territorin e vendit dhe i kanë siguruar Kosovës prezencë në forume ndërkombëtare;- e ka kundërshtuar me dhunë marrëveshjen e parimeve të vitit 2015, e cila siguron zbatim të Kushtetutës së Kosovës në zbatimin e marrëveshjes së vitit 2013”, ka shkruar Hoti.
Sipas Hotit, e njëjta forcë politike pranon të zbatojë të gjitha marrëveshjet paraprake dhe thirret në elemente specifike të atyre marrëveshje që sigurojnë kushtetutshmërinë në zbatim.
“LDK-ja është kundër mashtrimit. LDK-ja është për shtetin e Kosovës. LDK-ja është për ruajtje të partneritetit me miqtë”, ka shkruar./21Media

Back to top button