Hovenier mirëpret zbatimin e marrëveshjes për letërnjoftime, përmend njohjen reciproke

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka mirëpritur zbatimin e marrëveshjes për dokumentet e hyrje/daljeve midis Kosovës dhe Serbisë, e cila ka hyrë në fuqi nga 1 shtatori.
Hovenier nëpërmjet një postimi në “Twitter”, ka thënë se liria e lëvizjes është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve, që përqendrohen në njohje reciproke mes këtyre dy vendeve.
“Mirëpresim fillimin e qetë të zbatimit të marrëveshjes së lehtësuar nga BE-ja për dokumentet e hyrjes/daljes. Liria e lëvizjes është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve të përqendruara në njohjen reciproke për Kosovën dhe Serbinë. Mezi presim të shohim përparim në çështje të tjera në muajt e ardhshëm”, ka shkruar Hovenier.


Serbia më 1 shtator ndërpreu lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje për shtetasit e Kosovës.
Një ditë para se të hiqte kërkesën për dokumente për hyrje/dalje, Serbia vendosi disa njoftime në vendkalimet me Kosovën, ku thuhej se mundësimi i kalimit të kufirit me dokumente të identifikimit të lëshuara nga Kosova bëhet “për arsye krejtësisht praktike”, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, bazuar në Marrëveshjen për lëvizje të lirë.
Këtë marrëveshje, Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2011 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, por se deri më tash nuk ka gjetur zbatimin e duhur./21Media

Back to top button