Hoxha: Mund të priten arrestime të reja për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha ka deklaruar se mund të ketë edhe arrestime të reja, lidhur me sulmin e fundit terrorist në kanalin Ibër-Lepencit në veri.

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar 30 ditë paraburgim J.V., i cili është i dyshuari i dytë për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, në Varagë të Zubin-Potokut.

“Arrestime të reja mund të priten. Policia e Kosovës çdo ditë është duke analizuar çdo informacion që posedon dhe ato që mund të vijnë dhe varësisht nga hetimet që janë duke u bërë mund të ketë edhe bastisje të reja dhe arrestime të reja”, ka thënë Hoxha për televizionin publik.

Ai ka shtuar se aktualisht nuk kanë sinjale për ndonjë sulm të ri në veri, megjithatë ka shprehur gatishmërinë e Policisë për intervenim me të gjitha kapacitetet.

“Shpresojmë të mos kemi, por në qoftë se ka, ne jemi aty për t’u përgjigjur. Të gjitha kapacitetet tona i kemi vënë në dispozicion të sigurisë së vendit tonë, në veçanti të veriut të vendit”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës, sipas Hoxhës, ka bashkëpunim të mirëfilltë me KFOR-in dhe EULEX-in, derisa shtoi se EULEX-i është prezent gjatë bastisjeve që policia kryen atje derisa KFOR-i monitoron situatën në kufijtë dhe së bashku me policinë kanë rritur prezencën edhe përgjatë kanalit.

Back to top button