Hoxhaj: Do të mbesim pa aleatë me këtë ritëm, përgjegjësia i takon Qeverisë Kurti
Ish- ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka kritikuar Qeverinë Kurti për përkeqësimin e raporteve me SHBA-në. Hoxhaj ka thënë se diplomacia aktualisht është e zioluar.
“Qëndrimi amerikan është duke u përkeqësuar, derisa edhe aleatët kryesorë evropianë janë në kulm të pakënaqësive me Qeverinë Kurti. Fakti që vendimi për tokat e manastirit shkoi huq, tregon për një amatorizëm dhe një moskoordinim eklatant me aleatët shtetbërës të Republikës së Kosovës. Deklaratat e pamatura dje, sot morën një dush të ftohtë. Mosbesimi është thelluar aq shumë me aleatët, sa që diplomacia jonë është krejtësisht e izoluar dhe joefektive. Nuk po flitet më për njohje dhe anëtarësime në diplomaci me aleatët, po për dinarë e për kadastra! Kjo tregon që politika e jashtme është kthyer në ofiqari për dinarë e për kadastra. “, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
Për këtë ai ka bërë përgjegjës Qeverinë Kurti.
“Përgjegjësia e plotë i takon kësaj qeverie! Do mbesim pa aleatë me këtë ritëm të tmerrshëm të gabimeve! Por, Kosova nuk do t’ia kthej shpinën aleatëve, por kësaj qeverie anti-historike.”, ka përfunduar Hoxhaj./21Media