Hoxhaj: Kush do të ndërtojë institucionet e ardhshme evropiane, shumë e rëndësishme

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në Kongresin e Vjenës si anëtar i Bordit Këshilldhënës.

Në fjalimin e tij të mbajtur në këtë kongres, Hoxhaj ka thënë se kriza në BE dhe rreth Evropës varet nga disa rrethana politike të brendshme dhe kërcënimet e sigurisë së jashtme, por edhe nga disa faktorë ekonomikë.

“Krizat në Bashkimin Evropian dhe rreth Evropës, në në tërë kontinentin e vjetër, do të varen nga disa rrethana politike të brendshme dhe nga kërcënimet e sigurisë së jashtme, nga tensionet gjeopolitike globale, por edhe nga disa faktorë ekonomikë, të cilët nuk janë aq shpresëdhënës gjatë vitit 2024! Nga të gjitha këto, do të varet edhe vet qasja dhe politika e BE-së, por edhe e shteteve anëtare të saj, ndaj Ballkanit Perëndimor dhe ndaj Kosovës”, ka thënë Hoxha.

Sipas Hoxhajt, Evropa do të përballet me një sfidë identitare që do të definojë të ardhmen e saj.

“Mënyra sesi BE-ja do t’i qaset disa çështjeve që do t’i ngrisë këtu, do të varet nëse ajo do të jetë vëzhguese pasive – siç na duket shpesh neve jashtë BE-së, apo një fuqi e rëndësishme vendimmarrëse për fatin e vet dhe fatin e të tjerëve. Evropa do të përballet me një sfidë identitare që do të definojë të ardhmen e saj”, ka shkruar Hoxhaj.

Ndërsa, ka shtuar se është shumë e rëndësishme se si do të votojnë Evropianët në vitin 2024, kush do të ndërtojë institucionet e ardhshme Evropiane në zgjedhjet për Parlamentin Evropian ndërmjet 6 dhe 9 qershorit.

“Përse evropianët do të votojnë ashtu siç do të votojnë dhe çfarë roli ka përceptimi i frikës dhe pasigurisë për të ardhmen? A mos emocionet do të jenë vendimtare në vendimmarrjen personale të qytetarëve evropianë për të votuar për Parlament Evropian? Një krizë besimi në politikën evropiane mund të ndikojë në zgjedhjet kombëtare në shumicën e shteteve anëtare. Sondazhet tregojnë gjithashtu se partitë e ekstremit të djathtë do të kenë përfitime të konsiderueshme në zgjedhjet e Parlamentit Evropian në qershor të vitit 2024. Kjo ka të ngjarë të ndikojë në qëndrimin e politikës së BE-së për çështje të tilla si migracioni, ndryshimet klimatike, zgjerimi i BE-së dhe në raport me vet luftën e rikthyer në Evropë, si Ukraina, gjë që do ishte me pasoja afatgjate për të ardhmen e BE-së”, ka shkruar tutje Hoxhaj.

Një çështje tjetër të cilën e ka përmendur ai është edhe fakti që Evropa do të shohë nëntë zgjedhje parlamentare këtë vit, ku sipas sondazheve duket se do të rezultojë me një ndryshim të dukshem të qeverisë

Ai ka shtuar se kjo do të vështirësoj edhe në marrjen e vendimeve të mëdha.

“Kur vendimmarrja qeveritare mbetet e kufizuar nga sfidat e qeverisë së pakicës, kjo do të vështirësojë marrjen vendimeve të mëdha. Por edhe paqëndrueshmëria politike, jostabilieteti dhe polarizimet e brendshme do të jenë trend(realitet) dhe normë evropiane. Kur kam biseduar me miqtë evropianë këto ditë, ata ishin të bindur që rritja e pakënaqësisë me establishmentin politik do të rrisë gjasat që partitë kryesore dhe tradicionale evropiane të bashkojnë disa nga politikat më radikale të përkrahura nga e djathta ekstreme dhe e majta ekstreme në platformat e tyre të politikave. Partitë e djathta ekstreme kanë të ngjarë të kenë gjithashtu fitime elektorale dhe presin që ato të hyjnë në qeveri pas zgjedhjeve, në disa vende, potencialisht si partitë më të mëdha, me shanset më të mira për të formuar dhe udhëhequr qeveritë e ardhshme”, thuhet tutje në postim.

Ndërsa, zgjedhjet më të rëndësishme në Evropë në vitin 2024 do të varen nga zgjedhjet në SHBA dhe në Britani të Madhe, të cilat ndikimin do ta kenë në dy drejtime të ndryshme dhe me efekte të kundërta politike.

Një pikë tjetër të cilën e ka përmendur Hoxhaj ka qenë edhe ekonomia evropiane e globale ku ka thënë e do të rritet më shpejt, por procesi i rimëkëmbjes ekonomike ka të ngjarë të vazhdojë edhe në vitin 2024.

Mirëpo kjo o të ketë një ndikim negative pasi që në tregtinë globale do të ketë pasoja negative për disa ekonomi nacinale që varen nga eksporti.

“Nëse partitë politike tradicionale apo të ekstremit të djathtë dhe të majtë do të fokusohen në izolimin ekonomik dhe ato do mbizotërojnë në zgjedhjet e ardhshme në Evropë si zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe shtete anëtare e në SHBA, kjo do të kishte një ndikim negativ në tregtinë globale – me pasoja negative për disa ekonomi nacionale, që varen nga eksporti”, ka thënë Nënkryetari i Kuvendit.

Ndërsa ka përmendur edhe agresionin rus me Ukrainën dhe shpërthimin e luftës në Rripin e Gazës.

“Çështja tjetër është dhe mbetet konkurrenca gjeopolitike dhe tensionet gjeopolitike me pasoja sa për rendin liberal ndërkombëtar dhe me pasoja për zhvillimin ekonomik evropian dhe global, me ndikim negativ në rritjen e punësimit. Peizazhi gjeopolitik ka ndryshuar në mënyrë dramatike me agresionin rus në Ukrainë dhe së fundmi, me shpërthimin e luftës në Rripin e Gazës. Rivaliteti që Kina mundohet ta bëjë në raport me SHBA-në gjithashtu ka vazhduar të bëhet një faktor kyç në mënyrën se si ne e shohim botën. Përkundër gjithë pasigurisë gjeopolitike, është gjeo-ekonomia ajo që e drejton marrëdhënien transatlantike. Këtu amerikanët dhe evropianët duhet të jenë edhe më strategjik në bashkëpunim, por ka gjasa që mund të shohim edhe në këtë gjeografi nje krizë tregtare varësisht se kush fiton zgjedhjet në Shtëpinë e Bardhë dhe çfarë politike të jashtme do të zbatojnë tani SHBA-të ndaj Evropës. Gjithnjë e më shumë vende po përdorin tani fuqinë e tyre ekonomike për të rritur ndikimin e tyre gjeopolitik”, ka shkruar Hoxhaj.

Hoxhaj ka përfunduar se nëse BE nuk arrin të marrë një vendim lidhur me aplikacionin e Kosovës për statusin e kandidatit, çfarë drejtimi strategjik dhe qartësi mund të pritet të tregojë BE-ja? Pamundësia për të kaluar këtë akt aq të thjeshtë dhe simbolik ngre dilema në lidhje me drejtimin strategjik të BE-së ndaj vet Evropës./21Media

Back to top button