Hoxhaj: Ndërmjetësuesi të kërkoj falje lidhur me çështjen e hartës së Kosovës

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj sot priti në takim Përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë Serbi, Miroslav Lajçak.

Në këtë takim, siç informoi PDK, Hoxhaj e njoftoi për qëndrimin e PDK-së që çfarëdo marrëveshje e mundshme mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e vendit, të mos e cënojë tërësinë territoriale, intergritetin dhe sovranitetin e Kosovës.

Sipas Hoxhajt, rajoni mund ta tejkaloj këtë sfidë historike vetëm kur të dyja vendet e njohin njëra-tjetrën dhe Kosova siguron ulëse në OKB.

“Po ashtu, në takim, kryetari Hoxhaj ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me hartën e prezantuar nga Lajçak në njërën prej intervistave të tij ku nuk figuronte kufiri i Kosovës si vijë ndarëse me Serbinë. Hoxhaj ka kërkuar nga Lajçak një kërkimfalje për këtë çështje meqë ndërmjetësuesi i dialogut nuk duhet të ketë qëndrim të njëanshëm në këtë proces dhe ai duhet ta njoh realitetin e Kosovës së pavarur.”, u bë e ditur në komunikatën e PDK-së.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak njoftoi krerët e PDK-së me planin e tij për rifillimin e shpejt të dialogut pas konstitutimit të institucioenve të reja në Kosovë.

Gjatë ditës, Lajçak takoi ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmanin, kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin dhe ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajn. Ditën e djeshme, Lajçak takoi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin. Ndërkohë, ai pritet të takojë edhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn.

Back to top button