Mustafa: Referendumi ’92 model i organizimit politik gjithpopullor

 

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa duke komentuar 29 vjetorin e referendumit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, sot ka deklaruar se ishte pikëtakimi i organizimit popullor dhe përcaktimit politik të ardhmes së Luginës së Preshevës. Ai ka shkruar se Kosova duhet të marrë përgjegjësinë dhe duhet ta shtrojë për zgjidhje çështjen e Luginës së Preshevës në dialogun Prishtinë-Beograd duke respektuar aspiratën plebishitare të referendumit.

Ai ka shkruar në Facebook se 1 dhe 2 marsi janë datat më të shënuara të historisë së vonshme në Luginën e Preshevës. Referendumi ’92 është pikëtakimi i organizimit popullor dhe përcaktimit politik të ardhmes së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.

“Viti 1992 është kthesa më domethënëse për liri e barazi qytetare. Vullneti i shprehur i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Referendum për autonomi territoriale politike të shqiptarëve me të drejtë bashkimi me Kosovën është platforma për realizimin e drejtave individuale dhe kolektive të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Patjetër se është modeli i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të forcave politike e intelektuale, tashmë skajshmërisht të fragmentarizuar politik në Luginë. Ky akt i lartë qytetar është udhërrëfyesi më i mirë i unitetin në veprim e organizimit gjithëpopullor. Në përvjetorin e 29 të Referendumit, statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës mbetet akoma i pazgjidhur. Faleminderim e mirënjohje të përjetshme për vizionin dhe organizimin, gjithë atyre grave dhe burrave që patën kurajon edhe nën kërcënimin edhe me jetë i dhanë shpresë Luginës së Preshevës”, ka shkruar Mustafa.

Back to top button