Hoxhaj: PDK synon ta përmbyllë procesin e shtetndërtimit

(Lajm i përditësuar)
Hoxhaj: PDK synon ta përmbyllë procesin e shtetndërtimit
Kandidati i PDK-së për deputet Enver Hoxhaj, në ”Click” të RTV21 ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se ata janë të paqartë për situatën politike dhe rrugën që ka ndjekur Kosova deri më sot. Hoxhaj vlerësoi se PDK-ja, në partneritet me partitë e tjera, synon ta përmbyllë procesin e shtetndërtimit dhe se kjo përgjegjësi nuk duhet t’u lihet brezave të rinj.
“Kurti dhe VV-ja nuk e dinë se ku kanë mbetur dhe nuk e kanë idenë se si kemi arritur deri këtu. Habitem kur e dëgjoj Kurtin kur mban ligjërata në vende diplomatike se si ndërtohet një shtet nga themelet, kur ai e ka kundërshtuar ndërtimin e këtij shteti. Kjo është kryeironia e komunikimit të tij. PDK-ja është e vendosur ta udhëheqë qeverinë, t’i fitojë zgjedhjet në partneritet me partitë e tjera dhe ta përmbyllë shtetndërtimin e Kosovës. Këtë barrë nuk guxojmë t’ia lëmë një gjenerate të re,” tha Hoxhaj.
Hoxhaj: Më 29 Kosova do të ketë kryeministër tjetër, Hamza e ka një mbështetje të madhe
Kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj në ”Click” të RTV21 ka shprehur bindjen se Kosova shumë shpejt do të ketë një qeveri të re, duke theksuar se qytetarët e kanë kuptuar nevojën për zgjidhje politike dhe udhëheqje të përgjegjshme.
Ai deklaroi se kandidati Bedri Hamza gëzon mbështetje të madhe dhe se vendi ka nevojë për një qeveri që di ta udhëheqë dhe ta qeverisë Kosovën.
“Më 29 Kosova do ta ketë një kryeministër tjetër. Jam i bindur që Hamza e ka një mbështetje të madhe. Qytetarët e kanë kuptuar që vendi kërkon zgjidhje politike. Jam i bindur që Kosova do ta ketë një qeveri që di ta udhëheqë vendin dhe ta qeverisë,” tha Hoxhaj, duke shtuar se: “Me Kurtin kemi dallime të shumta. Ai e sheh opozitën si pengesë. Ai nuk e sheh Kuvendin e Kosovës si zemër të demokracisë, por e sheh si një platformë ku ushtron pushtetin e tij absolut.”
Hoxhaj akuzon Kurtin për pushtet absolut
Kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj në ”Click” të RTV21 ka kritikuar Albin Kurtin, duke thënë se ai po tenton ta përshtasë Kushtetutën sipas interesave të tij personale. Hoxhaj vlerësoi se zhvillimet politike gjatë vitit 2025 janë pasojë e drejtpërdrejtë e qasjes së Kurtit dhe se vendi ndodhet para një momenti vendimtar për demokracinë.
“Kurti po dëshiron që Kushtetuta t’i përshtatet atij. Ai po synon të ketë pushtet absolut. Për Kurtin demokaricoa perfundon neser kur perfundojnë zgjedhjet, mandej ka një sistem tjeter politk, këto zgjedhje janë historike për vendin,” tha Hoxhaj.
Hoxhaj: Zgjidhja është në kutitë e votimit, nesër është votë historike
Kandidati i PDK-së për deputet, Enver Hoxhaj në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se vendi ndodhet përballë një momenti vendimtar politik, duke theksuar se nesër pritet një votë historike.
Ai tha se pas zhvillimeve politike gjatë vitit 2025, Kosova nuk ka përjetuar më parë një situatë ku qytetarët shkojnë vazhdimisht nga një palë zgjedhje në tjetrën, prandaj zgjidhja duhet të vijë përmes votës.
“Ajo se çka mund të ndodhë nesër është një votë historike. Do të duhet të votojnë PDK-ja dhe partitë e tjera në opozitë. Ajo se çka ka ndodhur gjatë vitit 2025 nuk njeh një situatë ku një popull shkon nga zgjedhjet në zgjedhje. Zgjidhja është në kutitë e votimit nesër,” tha Hoxhaj./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?