​Hoxhaj: Plani evropian e formalizon mosnjohjen ndërkombëtare të Kosovës

(Lajm i përditësuar)
Hoxhaj: Plani evropian e formalizon mosnjohjen ndërkombëtare të Kosovës
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se në planin për zbatim duhet të ketë qartësi se çfarë mendojnë palët kontraktuese, kur një shtet nuk njeh Kosovën. Ai theksoi se në kuadër të palëve kontraktuese mund të ketë territore e entitete që janë pjesë të OKB-së. Në seancën plenare për dialogun dhe planin evropian, Hoxhaj shtoi se ky dokument është një fitore e parë që i ofrohet Serbisë.
Hoxhaj i tha kryeministrit se dija në politikë duhet të jetë funksionale dhe etike për t’i shërbyer shtetit. Sipas tij, mënyra se si Kurti flet për dialog është më shumë ‘dije e anekdotave’.
“Situata tjetër e dytë është plani për zbatim, i cili ende nuk është pranuar nga kryeministri Kurti. Dhe i cili është i rëndësishëm sepse këto pika të marrëveshjes mund të jenë vetëm një opinion, a plani për zbatim është që krijon fakte politike edhe fakte gjeopolitike për Kosovën. Dua t’i them disa gjëra, disa gjëra shpejt-shkurt. Palët kontraktuese për vendet në hyrje të tekstit, natyrisht që ne mendojmë shtetin e Kosovës dhe asgjë tjetër. Por, tek palët kontraktuese mund të ketë edhe shtete edhe entitete edhe territore që janë pjesë të OKB-së, por ka edhe persona të tjerë juridik të tjerë. Prandaj në planin për zbatim duhet të ketë një qartësi se çka po mendojmë me palët kontraktuese, kur një shtet nuk njeh Republikën e Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj shtoi se në 15 vjetët e fundit nuk ka pasur një delegacion i cili ka pranuar me shkrim që statusi i Kosovës është çështje e hapur.
“Ky dokument e formalizon mosnjohjen ndërkombëtare të Kosovës. Prandaj, nuk ka njohje de-facto, sikurse thuhet e as de-juro. Por është një fitore e parë kolosale që i afrohet Serbisë dhe këtu duhet të jemi të qartë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Hoxhaj ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të tregojë se a do e bëjë padinë për gjenocid.
“Çështjen e tretë që dua ta ngriti ka të bëjë me nenin e katërt: Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Kjo do të kishte kuptim vetëm në këtë formë, nëse marrëveshja ratifikohet në Kuvendin e Serbisë. Nëse Serbia apo Kosova e depozitojnë në sekretariatin e OKB-së marrëveshjen, dhe natyrisht që varet shumë prej raportit të forcave, Kina, Rusia, shtete të ndryshme që mund të lobojnë kundër Kosovës”, ka vijuar Hoxhaj në seancën plenare.
Selmanaj e kritikon Kurtin: Zajednica, Zajednica, tap kryeministër e lëshoi bajrakun
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ia ka përmendur kryeministrit shprehjen për demarkacionin që ia kishte thënë Ramush Haradinajt. Derisa ka folur për Asociacionin, ai u shpreh me fjalët “Zajednica, Zajednica, tap kryeministër e lëshoj bajrakun”.
Në debatin për dialogun, Selmanaj derisa ka diskutuar për planin evropian tha se nuk i beson Kurtit, duke i përmendur edhe gjashtë kushtet për Asociacionin.
“Unë do ta përfundoj fjalinë time me një fjali të kryeministrit që më pat lënë shumë përshtypje dhe më pati pëlqyer shumë ‘Çakorri, Çakorri, Zhlepi, Zhlepi, tap kryeministër tha e lëshoj bajrakun’. E unë po ju them sot në gjuhën e tij ‘Zajednica, Zajednica, Zajednica, tap kryeministër e lëshoj bajrakun’”, ka thënë ai.
Selmanaj në seancën që po vazhdon edhe në orët e vona ka folur edhe për misionet diplomatike, për çka ka shprehur kundërshtinë e tij që diplomati nga Kosova të shkojë në zyrën e Qeverisë së Serbisë.
“Vendosja e misioneve diplomatike, besomëni që e kemi pasur më mirë, se sa që po mendohet me e pas. Çfarë e kemi pasur deri sot, në zyrat përkatëse të BE-së dhe në Serbi kanë qenë përfaqësues tanë dhe të Serbisë në Kosovë, në kontekstin e bashkëpunimit kinse më tepër ka qenë një zyre ndërlidhëse. A dinë çfarë po thonë tash? Në qeveritë përkatëse do i kemi zyrat, qysh more ambasadori ynë ose zyrtari jonë i ndërlidhjes me shkua në objektin e Vuçiqit, në qeveri të Vuçiqit. Të tyre i kemi se Rakiçin e kemi pasur në qeveri dhe kemi me i pas. Problemin e kam qysh ambasadori jonë, diplomati jonë në zyrën e qeverisë”, ka shtuar Selmanaj.
Konjufca-Kokajt në seancën e natës: Fol me terma më të lehtë se pak vonë
Deputetët në Kuvend po vazhdojnë seancën për dialogun me Serbinë. Në seancën e natës, deputeti Jahja Kokaj ka kërkuar nga të gjitha partitë që të bëhen bashkë dhe të bëhet më e mira për këtë çështje. Ai derisa ka folur për Asociacionin po ashtu u shpreh se “kur e hedh budallai një gur në ujë, 1 mijë të mençur nuk mund ta nxjerrin”.
Në seancën plenare të qeshura ka shkaktuar edhe fjala e kryeparlamentarit, Glauk Konjufcës, kur kërkoi nga Kokaj që të flas me terma më “të lehtë”.
“Që të japim mendime, gjithkush me aftësitë e veta intelektualo-politike dhe që të vijmë te ajo më e mira. Unë nuk flas me fjalën e thashethemeve, sepse po të kisha fol do të kisha thënë, kur është fjala për asociacionin e kisha përmend e kisha përmend vitin 2013 dhe vitin 2015 dhe e kisha përmend ‘kur e hedh budallai një gur në ujë, 1 mijë të mençur nuk mund ta nxjerrin’. Unë nuk po e them atë. Por, po dua të them që të mblidhemi të gjithë si një dhe të nxjerrim atë që është më e mira”, ka thënë Kokaj.
Ndërsa Konjufca ka thënë se deputetët po i ankohen për fjalimin e Kokajt.
“Profesor nëse mundesh në terma më të lehtë se pak vonë, deputetët po më ankohen”, ka thënë Konjufca.
Zemaj-Kurtit: Fëmijëve tanë do t’u duhet ta vizitojnë Manastirin me pasaporta
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, derisa ka folur për pikën 7 të planit franko-gjerman, i pranuar nga Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel, ka shtruar pyetje për kryeministrin Albin Kurti, nëse është “në tokë të bukës”.
Në seancën e së enjtes mbrëma, Zemaj ka thënë se nuk e di nëse kryeministri Kurti e ka parasysh që fëmijëve shqiptarë të Kosovës do t’u nevojiten pasaporta për ta vizituar Manastirin e Deçanit.
“Si është gjendja sot me planin franko-gjerman të negociuar dhe të pranuar nga ju kryeministër? Dil shpjegoje në mënyrë reale pikën 7. Pika 7 është shtatë herë më e rëndë se gjithçka çka Kosova ka pranuar deri më tani. Në pikën 7 të kësaj marrëveshje thuhet se palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në përputhje me modelet ekzistuese evropiane. Kryeministër, shpjegoje zyrtarizimin e statusit të Kishës, për çfarë sigurie po bëhet fjalë, për çfarë statusi po bëhet fjalë? A e di se nëse fëmijët tanë dëshirojnë ta vizitojnë natyrën e bukur rreth Manastirit të Deçanit, duhet të shkojnë me pasaporta? A e di se çfarë po bën, a je në tokë të bukës? Dil e shpjegojë se cilit nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike po i referohesh?”, ka pyetur ai.
Në orët e vona të natës, rifillon seanca e Kuvendit
Po vazhdon debati për dialogun dhe dakordimin për planin evropian në Kuvendin e Kosovës. Debati ka nisur gjatë ditës, ndërkaq po vazhdon edhe sonte pas orës 22:00.
Kryeministri Albin Kurti ka debatuar gjatë ditës në lidhje me këto çështje, ku më pas kishte thënë se në orën 16:00 do i duhej të shkonte, porse ishte shprehur i gatshëm të kthehej, prapë pas orës 22:00.
Pas propozimit të shefit të ekzekutivit, Albin Kurti që në Kuvend të vazhdojë ky debat, janë pajtuar edhe opozita.

Back to top button