Hoxhaj: Suksesi i policisë të përkthehet në fitore diplomatike, të sanksionohet Serbia

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, dënon ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë. Thotë se është momenti i fundit që bashkësia ndërkombëtare të sanksionojë Serbinë, derisa nga Qeveria e Kosovës kërkon që suksesin e policisë ta përkthejë në fitore politike e diplomatike.

Ish-ministri i Jashtëm, njëherësh deputet i PDK-së thekson se sulmi i së dielës ka ndryshuar politikën rajonale dhe se kërkon qartësi edhe sa i përket vazhdimit të dialogut. Kritik tregohet ndaj udhëheqësve shtetërorë, për të cilët thotë se duhet të dalin me një strategji për të ecur përpara.

Duke thënë se nevojitet reflektim i thellë i asaj që ndodhi një javë më parë në veri të vendit dhe kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë, Hoxhaj thekson se kjo e fundit përmes sulmit terrorist synoi aneksimin e veriun sikurse Rusia që kishte bërë me Krimenë. Paralajmëron për rrezikun që i kanoset vendit nga sulme të tjera të mundshme nga ana e shtetit serb.

“Së pari, mendoj që Serbia e ka marrë përgjigjen e plotë duke demonstruar nga ana e Republikës së Kosovës që kushdo që bënë përpjekje që ta sulmojë sovranitetin dhe integritetin territorial do të pësojë sikur që e ka pësuar ai grup terrorist, të cilët bënë një akt të agresionit mbi Republikën e Kosovës… Së dyti, mendoj që akti si i tillë pa dyshim që ka lidhje direkt me politikën serbe, me shtetin serb, me vetë Aleksandër Vuçiqin, meqë Aleksandër Vuçiqi para se të bëhet politikan ka qenë paramilitar dhe krejt çka e njeh ai në karrierën e tij të hershme është pikërisht organizimi paraushtarak, paramilitar sikurse ishte kjo bandë kriminale që sulmoi veriun e Kosovës dhe ne mendojmë që duhet të kemi një hetim ndërkombëtar mbi këtë çështje të pavarur dhe i takon Bashkimi Evropian si ndërmjetësues që pikërisht të shtyjë çështjen e një hetimi ndërkombëtar meqë nuk mund të jeni në tavolinë të negocimit për normalizim të raportit dhe në të njëjtën kohë të sulmoni një shtet sovran dhe të pavarur… natyrisht që Serbia duhet të sanksionohet dhe është koha e fundit kur Serbia duhet të sanksionohet”, thotë Hoxhaj.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës rendit një mori argumentesh që e bëjnë Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist të së dielës së shkuar.

“Pa dyshim se ajo çfarë ka ndodhur në veri të dielën ka qenë një sulm dhe akt agresioni i planifikuar, me agjendë të qartë politike, njerëzi të cilët kanë qenë të trajnuar, armatim i cili është siguruar nga shteti serb dhe koha e prodhimit të këtij armatimi tregon që shteti serb është mbrapa dhe në Serbi nuk mund të blesh një pistoletë, revole në treg të zi, lëre më armatim për një këmbësori të rëndë me uniforma. Por, përtej sasisë së armatimit, kohës së prodhimit, unë mendoj që vëmendja në Kosovë duhet të jetë rreth agjendës së tyre politike, platformës, qëllimit të tyre politik dhe ajo se çfarë ka ndodhur të dielën nuk është asgjë tjetër veçse e ngjashme me një përpjeke për ta aneksuar këtë pjesë të territorit të Kosovës. Në pikëpamjen time është e ngjashme me aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, është e ngjashme me penetrimin e forcave paraushtarake, paramilitare, bandave kriminale në Donbas, është e ngjashme me mënyrën sesi ka filluar lufta në Kroaci dhe se si ka qenë agjenda e politikës serbe për të kontrolluar territorin e Kroacisë, është e ngjashme me atë se çfarë ka ndodhur në Bosnje… Partnerët tanë ndërkombëtarë… duhet ta shohin aktin e agresionit të së dielës si një pikë kthese në raportet Kosovë-Serbi dhe në politikën rajonale”, vijon Hoxhaj.

Për deputetin e PDK-së është e rëndësishme që të hetohet në tërësi rasti dhe Kosova të ripozicionohet.

“Unë mendoj se çfarë ka nevojë Republika e Kosovës në këtë kohë është që pas kësaj ngjarje të ketë një mendim të plotë pse ka ndodhur ngjarja, kush qëndron prapa saj, pse nuk është ruajtur mirëfilli kufiri në veri të vendit, sa po e bënë KFOR-i punën e tij në mënyrë të mirëfilltë dhe se si do të duhej ne këtë ngjarje ta përdorim si një ngjarje për ta rimenduar dhe për ta ripozicionuar Republikën e Kosovës. Natyrisht që dialogu është obligim për Kosovën dhe Serbinë por unë mendoj se ne nuk duhet të shkojmë në dialog pa e sqaruar mënyrën e mirëfilltë se çfarë ka ndodhur deri më tash, të dielën, cili është roli i Serbisë në këtë proces dhe cili duhet të jetë roli i faktorit ndërkombëtar që të ketë një qartësi se ku duam që të dalim”, thekson ai.

Sulmi terrorist, kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë dhe ambiciet e saj serbomëdha Hoxhaj thotë se dëshmojnë se Kosova nuk guxon të kthehet në tavolinën e dialogut sikurse nuk ka ndodhur asgjë.

“Jam i mendimit që i takon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shoh se si këtë fitore të Policisë së Kosovës ndaj një grupi terrorist ta përkthejë në një fitore të madhe politike dhe diplomatike. Dhe unë mendoj që Kosova shkon më e fortë në tavolinë, por në të njëjtën kohë jam i mendimit që kjo se çfarë ka ndodhur të dielën tregon që është koha e fundit që Kosova të bëhet të paktën pjesë e partneritetit për paqe të NATO-s, është jetike që Kosova të marrë njohje nga pesë vendet të cilat nuk e kanë njohur… Duhet të ketë qartësi politike që dialogu të përfundon me njohje të ndërsjellët, me marrëveshje obligative ligjore, e cila është finale mes Kosovës dhe Serbisë se është agjenda politike ajo e cila ka qenë në vitet e 90-ta e rikthyer përsëri në shtatorin e 2023-ës dhe në këtë drejtim, mendoj që Kosova nuk duhet t’i ikë dialogut dhe tavolinë por Kosova nuk guxon që të shfaqet në tavolinë dhe të flasë për raportin Kosovë-Serbi sikurse para së dielës, është situatë komplet e re”, thekson Hoxhaj.

Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Hoxhaj thekson nevojën e koordinimit me ndërkombëtarët dhe strategji shtetërore për të ecur përpara drejt normalizimit me Serbinë. Kritik tregohet ndaj udhëheqësve shtetërorë, për të cilët thotë se “nuk duhet të dalin me tituj e lajme.”

“Ne sa kemi qenë në qeveri kemi menduar që asociacioni do të jetë pjesë e një pakoje dhe kjo pjesë e pakos duhet të jetë një marrëveshje obligativo-ligjore dhe pjesë e saj duhet të jetë edhe njohja e ndërsjellët. Prandaj, mendoj që prej të dielës, çështjen e mbajtjes të zgjedhjeve në veri, çështjen e krijimit të asociacionit, çështjen e integrimit të komunitetit serb, çështjen e normalizimit të raporteve ndërshtetërore Kosovë-Serbi duhet t’i shohim nga perspektiva e një koordinimi më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe unë mendoj që këtu i takon edhe presidentes edhe kryeministrit të dalin me një qartësi jo me një episod, jo me një lajm, jo me je titull… Po të isha unë në qeveri, do të kisha dalë me një plan të plotë dhe të gjerë, i cili do të përfshinte të gjithë mozaikët dhe të gjitha temat për atë se pas të dielës ne të kemi një fazë të re të shtetndërtimit. Kur popujt, shtetet kërcënohen, i takon një elite politike që të ketë vetëdije dhe të thotë sesi të ndërtojmë mbi këtë situatë, që të mendojmë ndryshe sigurinë tonë, sovranitetin tonë, raportin tonë me Serbinë, raportin tonë me perëndimin dhe të gjejmë një mënyrë se si të gjejmë forcë të re pas kësaj situate për të ecur përpara, por jo për tu strukur në narrativën e vjetër”, vijon nënkryetari i Kuvendit të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës të enjten miratoi rezolutën që dënon sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator në Banjksë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. E për nënkryetarin e Kuvendit, kjo është dëshmi e unitetit të pozitës dhe opozitës ndaj Policisë, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

“Nuk e shohim raportin tonë me shtetin e Kosovës prej asaj se a është dikush në pozitë apo në opozitë dhe natyrisht që i japim mbështetje të plotë Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë së Kosovës, AKI-së, të cilët kanë bërë një punë brilante në një situatë ku edhe shtetet e mëdha do ta kishin vështirë që të përballen nga një sulm në befasi dhe i papritur.Në këtë drejtim mendoj që jemi unik pranë institucioneve të Kosovës, ajo se çfarë është shkruar në Rezolutën e Kuvendit të Kosovës është në zemër të çdo deputeti dhe mendoj të çdo anëtari, të çdo qytetari pavarësisht dallimeve partiake që i kemi për tema tjera”, përfundon Hoxhaj.

Në orët e para të mëngjesit të së 24 shtatorit është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa polici tjetër Alban Rashiti dhe një tjetër kanë mbetur të plagosur. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku është sulmuar patrulla policore. Policia ka vrarë tre prej terroristëve dhe ka arrestuar tetë.

Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armësh në Manastirin e Banjskës, ku terroristët u strehuan.

Autoritetet në Kosovë kanë nxjerrë prova që implikojnë nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq si udhëheqës të këtij grupi terrorist. E ky i fundit, i cili është i sanksionuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, e ka pranuar se ka udhëhequr grupin terrorist.

Back to top button