Në 26-vjetorin e protestave studentore, Kurti nderon Statovcin

(Lajm i përditësuar)


Kryeministri Albin Kurti, në 26- vjetorin e protestave studentore dhe në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Ejup Statovci, ka bërë homazhe tek varri i tij.

Në këto homazhe ai ishte i shoqëruar nga Bujar Dugolli, Driton Lajçi, Hajrullah Koliqi, Ahmet Geci, Lulëzon Jagxhiu, Jeton Rexha dhe Atdhe Hykolli.

Ai tha se Statovci, Universitetin e Prishtinës e lartësoi edhe në aspektin ndërkombëtar e poashtu edhe atë politiko-shoqëror në kushte tejet të vështira.

“Bashkë me Bujar Dugollin, Driton Lajçin, Hajrullah Koliqin, Ahmet Gecën, Lulëzon Jagxhiun, Jeton Rexhën, Atdhe Hykollin, erdhëm këtu tek varri i profesor Ejup Statovcit, Rektorit të Universitetit të Prishtinës, i cili ishte rektor për gjashtë vite të jashtëzakonshme kur edhe Universiteti i Prishtinës u ringjall ndonëse nën okupim dhe u bë institucioni i cili udhëheqte me rezistencën e atëhershme. E sot e kemi 26-vjetorin e asaj proteste demonstrate historike të studentëve që i ka aq shumë borxh profesor Ejupit, andaj vendosëm lule të freskëta dhe bëmë nderim tek varri i tij për të treguar se nuk e harrojmë atë datë dhe i kemi aq shumë borxh këtij Profesori e Rektori i cili Universitetin e Prishtinës e lartësoi edhe në aspektin ndërkombëtar, por po poashtu edhe atë politiko-shoqëror në kushte tejet të vështira.Lavdi veprës dhe jetës së Profesor Ejup Statovcit!”, tha Kurti,


Haradinaj kujton protestën studentore: Paralajmëruan dhe legjitimuan luftën për liri e pavarësi

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar demonstratën e 1 tetorit të vitit 1997 të organizuar nga studentët dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës.

Haradinaj ka thënë se kjo demonstratë ishte paralajmërim dhe legjitimim i ndryshimit të madh, luftës për liri e pavarësi.

“1 tetori i vitit 1997, na kujton vendosmërinë e rinisë studentore dhe profesorëve universitarë, për t’u ngritur mbi padrejtësitë dhe për ta paralajmëruar e legjitimuar ndryshimin e madh, luftën për liri e pavarësi!”, ka shkruar Haradinaj.

Sot mbushen 26 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.

Ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat, të cilat u organizuan për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga ku studentët ishin dëbuar nga regjimi i kasapit Slobodan Millosheviqit në fillim të viteve të 90-ta.

Përpos masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim.

Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për të shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.

Back to top button