Hungaria do të vendosë trupa në kufirin me Ukrainën

Hungaria do të vendosë trupa përgjatë kufirit të saj me Ukrainën mes frikës për një fluks refugjatësh nëse kriza me Rusinë përshkallëzohet, tha ministri i Mbrojtjes Tibor Benko.
Siç raporton BBC, vendet në Evropën Lindore po bëjnë përgatitje për njerëzit që do të ikin nga Ukraina.
Forcat e armatosura të Hungarisë do të kryejnë detyra humanitare si dhe do të mbyllin kufirin e Ukrainës me Hungarinë “për të siguruar që asnjë grup i armatosur nuk mund të hyjë në territor”, tha tutje ministri Benko, përcjellë rtv21.tv
“Siguria e Hungarisë është më e rëndësishmja, ne po përforcojmë kufirin Ukrainë-Hungari”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban njihet për qëndrimin e tij të ashpër ndaj migracionit.
Në të kundërt, fqinji i të dyjave, Rumania thotë se mund të pranojë gjysmë milioni refugjatë nëse kriza në Ukrainë përkeqësohet.
“Ka disa vlerësime, por ne mund të pranojmë mbi 500 mijë refugjatë, ky është numri për të cilin ne jemi përgatitur,” u tha gazetarëve ministri i Mbrojtjes, Vasile Dincu./21Media

Back to top button