Hyseni përgëzon Policinë
Ministri Hyseni ka përgëzuar Policinë për ruajtjen e rendit gjatë ditëve të festës
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni ka përgëzuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët në këto ditë feste kanë qenë në gadishmëri të lartë dhe me orar të zgjatur të punës.
“Mirënjohje e veçantë për gratë dhe burrat e Policisë së Kosovës të cilët këto ditë feste, me orar të zgjatur pune dhe me përkushtim po ofrojnë ambient të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Republikës”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Hyseni është shprehur se Policia e Kosovës është një organizatë policore profesionale e paanshme, e trajnuar në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare, për të zbatuar me përkushtim detyrat dhe ingjerencat nga fushëveprimi i saj, e që janë të kodifikuara dhe normuara në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“PK këtë përkushtim, ajo po e demonstron çdo ditë në ruajtjen e rendit dhe qetësisë në vend, me një seriozitet dhe shkallë të lartë të përgjegjësisë. Policia e Kosovës pra, është polici e këtij populli, demokratike, dhe poashtu e mbikëqyrur nga institucione demokratike”, ka shkruar Hyseni.
Ndryshe, me rastin e festës së Pashkëve, krerë të lartë të vendit kanë uruar besimtarët e krishterë.