Imzot Dodë Gjergji thërret për paqe dhe dashuri

Imzot Dodë Gjergji tha se në këtë festë e mira ka mbizotëruar mbi të keqen

Në këtë festë e mira ka mbizotëruar mbi të keqen dhe jeta ka triumfuar mbi vdekjen, prandaj mos keni frikë!

Kështu është shprehur Ipeshkvi i Kosovës Imzot Dodë Gjergji, i cili përcolli mesazhet e Jezu Krishtit, në një pritje solemne të organizuar me rastin e festës së Pashëve.

Në pritjen solemne te organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës  përveç përfaqësuesve të komunitetit të krishterë, prezentë ishin edhe përfaqësues të komunitetit islam në Kosovë, përfaqësues institucionalë të vendit si dhe besimtarë të shumtë.

Imzot Dodë Gjergji duke falënderuar të gjithë të pranishmit, ka përcjellë edhe mesazhin e festës së Pashkëve. Sipas tij, kjo festë simbolizon mbizotërimin mbi të keqen dhe triumfin mbi vdekjen. Ai tha se porosia e parë e Jezu Krishtit për njerëzit është thirrja për paqe dhe dashuri.

 

Derisa pritja solemne në rezidencën e Ipshekvisë së Kosovës është zhvilluar nën masa të larta sigurie, nën ruajtjen e forcave të shumta policore jashtë Ipeshkvisë, imzot Dodë Gjergji përcolli një mesazh tjetër të Jezu Krishtit, i cili sipas tij ka porositur njerëzimin që të mos kenë frikë. Ai tha se sipas porosisë së tij, jeta e njeriut është në duart e tij dhe nuk duhet pasur frikë nga askush.

 

Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për angazhimin, sepse  sipas tij, i gjithë angazhimi i tyre është gjest dashurie dhe kujdesi për të ruajtur paqen dhe për të ruajtur solemnitetin e kësaj feste.

Të pranishëm në këtë pritje ishte kryemami Naim Tërnava, ministrja e Integrimeve Evropiane Mimoza Ahmetaj, ish presidentja e vendit Atifete Jahjaga si dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës.

 

Back to top button