I dyshuari për vrasjen e 8 vjeçarit: E qëllova dy herë me kazmë dhe e shtyva në gropë

Kur janë mbushur 24 orë nga kryerja e krimit të rëndë në fshatin Grecalli të Fierit, të tjera detaje kanë dalë në dritë, mbi ngjarjen makabre.
Vogëlushi Mateo, rezulton të jetë vrarë nga dy goditje me kazmë. Ndërsa trupi i pajetë i të miturit, është gjendur i lidhur me duart nga pas, dhe i groposur pranë tualetit të jashtëm të shtëpisë së Klodian Çalamanit.
Çalamani ka treguar para policisë versionin e tij se pse e ka vrarë 8-vjeçarin.
Çalamani, është marrë në pyetje nga drejtori i policisë së Fierit dhe një prokuror i këtij qyteti, duke shtuar se vrasjen e kishte kryer pasi fëmija e kishte sharë dhe e akuzuar se i kishte ngacmuar nënën e tij.
“Sot më datë 16 nëntor 2021, rreth orëve të mëngjesit ora 8 apo 9, nuk e di unë ndodhesha në shtëpinë time dhe më vjen djali i vogël …. të cilit nuk ja di emrin, por e njof që është djali i F… i cili filloi të më shante. Unë në këtë kohë isha duke punuar me kazëm tek oborri i shtëpisë time dhe ai erdhi afër te porta, në një distancë një metër larg nga unë…”
Në dëshminë e tij, të cilën Ora News e disponon, por që për arsye etike rezervohet të publikojë të plotë, 38 vjeçari tregon me detaje si e ka goditur djalin dy herë me kazmë deri tek momenti i gjetjes nga policia të trupit të pajetë.
Pasi e ka goditur fëmijës i ka lidhur duart mbrapa me një lidhëse këpucësh dhe e ka hedhur në gropë dhe mbuluar.
“Më pas qëndrova në shtëpi, në oborrin e shtëpisë time dhe nuk kam lëvizur fare prej saj. Nuk më ka parë asnjë person dhe nuk i kam treguar asnjë personi……”.
Çalamani në dëshminë e tij ka treguar se vetë ai ishte vënë në dijeni për mungesën e fëmijës, pasi prindërit kishin filluar ta kërkonin.
Mandej në një rast ai e kishte pyetur të emën e të miturit në rrugë, nëse e kishin gjetur Mateon. Nisur nga kjo situatë, policia dhe prokuroria e Fierit kanë arrestuar menjëherë, Klodian Çalamanin, për akuzën e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit”.

Back to top button