I njohin vrasësit e familjarëve, por drejtësia nuk e dëgjon zërin e tyre

 

Të mbijetuar e Masakrës të Studimes së Poshtme të Vushtrrisë sot kujtuan tmerrin, nëpër të cilin kanë kaluar ata, derisa familjarët e tyre kanë mbetur të vrarë.

Familjarët e të vrarëve thanë se i njohin me emër e mbiemër kriminelët që vranë familjen e tyre, e të cilët nuk kursyen as fëmijët, gratë dhe pleqtë. Madje, ata shtuan se forcat serbe fillimisht kanë bërë plaqkitjen e viktimave dhe më pas i kanë vrarë.

Musa Gërguri, të cilit në këtë masakër i janë vrarë dy vajza, motra, axha dhe djali i axhës, tha për kp se shteti i Kosovës nuk po punon për t’i gjetur ata që kanë kryer masakrën, të cilët ai i njeh me emër dhe mbiemër.

“I kam dy vajza të vrara në luftë, motrën, axhën dhe djalin e axhës. Më 2 maj 1999, këtu ka qenë masakra në këtë datë që jemi sot, e diele ka qenë…brenda dy orëve 100 e më shumë njerëz… mu më kanë vendos tri herë me më pushkatuar, mixhën ma kanë vra para këmbëve…e kanë nxjerr dhëndrin, i kanë lyp pare, kur ia kanë dhanë paret, i ka marrë 2000 marka dhe e kanë vrarë atë dhëndrin…unë po i lutna Zotit edhe pushtetarëve se nuk janë duke punu e as nuk janë duke i gjet ata që kanë qenë këtu, këtu janë njerëzit, i di me emër e mbiemër që kanë bërë masakrën më të madhe në Kosovë”, tha ai.

Bajram Vërshëvci, të cilit ia kanë vrarë nënën, tha se paramilitarët vranin këdo që takonin në rrugë.

“Neve na kanë rrahur, mua e vëllaun po ka deshtë Zoti e kemi shpëtu, mirëpo kënd e kanë taku e kanë vrarë, nuk kanë zgjedh as të rijnë, pleq, i kanë masakruar, i kanë vrarë. Mbi 20 traktorë i kanë marrë dhe i kanë fundos te lumi i Rekës në Studime, kanë qenë mbi 30 mijë refugjatë që kanë ardhur prej Shalës, prej Sllakovcitë, Duminicë prej gjithkund. Paramilitarët kanë ardhur nga Skojnca, një pjesë edhe kanë bërtit serbisht masandej ia kanë nis rend duke i vrarë kënd kanë taku”, tha ai

Zymer Gërguri nga Studimja e Epërme, i cili me familjar ka ardhur në Studime të Poshtme, tregoi tmerrin që ka kaluar me 2 maj të 99-ës. Ai tha se dy vëllezërit e tij i kanë vrarë ani se ky kishte paguar mbi 2000 marka për të dy. Zymeri tha se ai njeh vrasësin e vëllezërve të tij.

“Atë natë më 2 maj 1999 qysh para mëngjesit popullata ka filluar të mblidhet në këtë grykë diku në 8:15… kemi mbërri te Studimja e Poshtme, aty paramilitarët na kanë ndal, na kanë plaçkit, na kanë torturuar. Së pari e kanë vrarë vëllain, ani pse i kam dhënë 1400 marka, atëherë për të shpëtuar ky, prapë se prapë e kanë vra. Tani i kam thënë për (vëllain tjetër) ky është shurdh-memec nuk din me fol… ka thënë tash e shtimë me fol edhe këtë e kanë ekzekutuar… Ne kemi provuar, i kemi dërguar disa herë edhe fotografitë, edhe EULEX kur ka qenë, e jam shkuar, kam dhënë intervista me fotografi, e kam njohur (vrasësin e familjes së tij) është diku në Tutin duke jetuar”, tha ai.

Në masakrën e Studimës 22 vjet më parë janë pushkatuar 116 civilë. Të mbijetuarit treguan se ata janë pushkatuar brenda dy orëve.

Për të nderuar martirët e rënë në Studime, sot bëri homazhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.

Back to top button