I ofruan falas shtëpinë, por Kurti paguan qira 250 euro
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti paguan 250 qira për një shtëpi 230 metra katror në Prishtinë- Taslixhe. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu .
Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se shtëpia është në pronësi të bashkatdhetarëve Blerim dhe Shega Zagragja, të cilët sipas Kryeziut ia ofruan falas banimin në shtëpi Kurtit.
“Kryeministri i njeh ata që prej disa vitesh. Anëtarët e tjerë të familjes Zagragja i ka njoftuar më vonë, pasi që është bërë banor në Taslixhe. Blerim dhe Shega Zagragja kanë dashur që Kryeministrit Kurti t’ia mundësojnë të banojë falas në shtëpinë e tyre, mirëpo Kurti nuk ka pranuar. Janë marrë vesh që ai ta paguajë qeranë aq sa ka qenë duke e paguar më herët te banesa afër parkut të qytetit”, ka thënë Kryeziu.
Ai tutje ka treguar se nuk shfytëzohet e gjithë hapësira e shtëpisë nga kryeministri
“Shtëpia në Taslixhe ku banon kryeministri nuk i ka 500, por 230 metra katrorë. Dhe kjo hapësirë nuk është plotësisht e shfrytëzueshme. Dy dhoma janë të papërdorshme, njëra është e bllokuar me gjësendet e pronarit e tjetra është dhomë e sigurisë. Shtëpia është e vjetër rreth 50 vjeç. “, ka treguar Kryeziu.
Largimin nga banesa afër Parkut të Qytetit, Kryeziu ka thënë se Kurti e ka bërë për shkaqe të sigurisë.
“Kryeministri pat vendosur që të ndërrojë vendbanim pas udhëzimeve të këshilltarëve të sigurisë të cilët kanë vlerësuar që mbrojtja e afërt dhe policia e Kosovës kanë shumë vështirësi për përgatitjet dhe organizimin e sigurisë aty ku banonte Kryeministri te parku i qytetit.”, ka përfunduar Kryeziu./21Media