Ia dha veturën e tij për të bartur kokainë, 30 ditë paraburgim për gjilanasin
Gjykata Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se e ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë ndaj të pandehurit I.Z, pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale ”Ndihma në kryerjen e veprës penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
”Ekziston dyshimi se me datë 28.09.2021, në fshatin Livoç i Ulët, Komuna e Gjilanit, i pandehuri i ka vënë në dispozicion mjetin për kryerjen e veprës penale, në atë mënyrë që makinën e tipit “Ford Fiesta”, ia ka dhënë në shfrytëzim të pandehurit J. H., i cili e ka njoftuar se me këtë veturë do të bartë lëndë narkotike të tipit ”kokainë”, nga Gjilani e deri në fshatin Stançiq, me peshë prej 144.7 gram, e që i pandehuri J. arrestohet ditë më parë dhe substanca narkotike i sekuestrohet”, thuhet në komunikatë.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale./21Media