Identifikohen 18 viktima të kontrabandimit me migrantë

Policia e Kosovës dje identifikoi 18 viktima të kontrabandimit me migrantë. Policia informoi se 11 shtetas ishin nga Siria, gjashtë shtetas nga Egjipti dhe një nga Iraku.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, sipas Policisë, i dyshuari mashkull kosovar (ngasësi i automjetit) u arrestua dhe u dërgua në mbajtje për 48 orë. Ndërsa, shtetasit e huaj pas intervistimit nga Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Prishtinë janë dërguar në qendër të azilit.
“Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e Trafikut Rajonal- Prishtinë gjatë zbatimit të detyrave të rregullta për identifikimin e kundërvajtësve dhe parregullësive të tjera në trafikun rrugor, ka ndaluar për kontroll rutinore një automjet – minibus i tipit Mercedes, me targa vendore, ku gjatë kontrollimit të tij janë identifikuar 18 (tetëmbëdhjetë) persona, ku prej tyre 11 (njëmbëdhjetë) shtetas nga Siria, 6 (gjashtë) shtetas nga Egjipti dhe 1 (një) nga Iraku. Të njëjtit kanë potencuar se në mënyrë të organizuar dhe të udhëhequr nga disa persona, përmes rrugëve ilegale nga Turqia, dhe shtete të tjera, përfshirë edhe Kosovën, kishin për qëllim shkuarjen në drejtim të vendeve të BE-së.”, ka informuar Policia.
Lidhur me rastin, janë angazhuar zyrtarë policorë nga Sektori i Hetimeve në kuadër të Departamentit për Kufi të cilët janë marrë me procedurat e nevojshme për trajtimin e këtij rasti./21Media

Back to top button