IHMK: Nuk ka rrezik nga përmbytjet lumore

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se reshjet me intensitet më të lartë në disa zona, mund të aktivizojnë rrjedhat e shpejta me karakter malorë siç janë përrenjtë si dhe paraqitjen e vërshimeve të shpejta lokale. Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrometrike në Kosovë, nuk parashihet që të kenë lëkundje të theksuara të niveleve dhe prurjeve të ujit, prandaj edhe nuk do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore.
Nga data 17 – 19 korrik 2021, pasi që pritet të ketë reshje të shiut me intervale të ndryshuara të cilat do të jenë të intensitetit të ulët deri mesatarisht të lartë, por kryesisht të karakterit lokal, mund të jenë të shoqëruar me shtrëngata dhe herë pas here me shkarkime rrufesh dhe mundësi breshëri, të cilat mund të shkaktojnë probleme dhe vështirësi lokale, si në funksionimin e sistemeve të kanalizimeve, dhe të ujërave atmosferike, vështirësi lokale të qarkullimit rrugorë, rrëshqitje të dheut.
Kujtojmë se për dy ditët e ardhshme në vend është paralajmëruar se do të mbretërojë mot i ndryshueshëm, me vranësira të dendura të cilat do të shoqërohen me riga shiu dhe shkarkime rrufesh./21Media

Back to top button