S’ka viktima apo të lënduar me shtetësi kosovare në Gjermani

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka njoftuar se nga informacionet që janë mbledhur nga misionet e Republikës së Kosovës në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Luksemburg dhe Zvicër, vende këto që po përballen me përmbytje dhe vërshime nga të reshurat, nuk ka asnjë të dhënë për viktima ose të lënduar nga radhët e bashkatdhetarëve që jetojnë në këto shtete.
“Nga raportet e misioneve të Kosovës në këto shtete, deri sot në mesditë (e premte, ora 12:00), është kontaktuar në dy raste Ambasada e Kosovës në Berlin si dhe Konsullata e Përgjithshme në Dyseldorf, të cilat kanë arritur të asistojnë në dy raste në identifikimin e një familjeje dhe një personi tjetër, të cilët kishin rezultuar të humbur në rajonet e prekura nga përmbytjet. Për të dy rastet ambasada dhe konsullata e Kosovës kanë qëndruar në kontakt me autoritetet gjermane si dhe familjarët e personave në Kosovë deri në identifikimin e tyre, dhe sigurimin që janë në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.
MPJD-ja ka thënë se do të informojë në vazhdimësi opinionin publik lidhur me situatën dhe zhvillimet në raport me pjesëtarët e mërgatës në të gjitha zonat e përmbytura në Evropën Perëndimore.
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në pjesën perëndimore të Gjermanisë ka shkuar në 120./21Media

Back to top button