IKD: Gjyqtarët kanë zgjidhur 115 lëndë më pak sesa që janë të obliguar

Gjatë vitit të kaluar është shënuar rekord i ngritjes së numrit të lëndëve kontestimore të pazgjidhura të cilat barten vit pas viti. Viti 2021 është mbyllur me mbi 85 mijë lëndë të pazgjidhura të cilat janë bartur nga viti pasues. Nga viti 2018 e deri në përfundim të vitit të kaluar është dyfishuar numri i lëndëve të natyrës civile. Kështu thuhet në raportin “Regresi i drejtësisë civile”, të Institutit të Kosovës për Drejtësi, ku veç tjerash është përmendur edhe mosefikasiteti i gjyqtarëve në trajtimin e këtyre lëndëve.
Sipas IKD-së, gjyqtarët nuk kanë respektuar rregulloren e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kanë zgjidhur 115 lëndë më pak se sa që janë të obliguar.
Në publikimin e raportit, hulumtuesi Gzim Shala nga IKD tha se në punën e divizioneve civile ka një regres të caktuar në trajtimin e lëndëve.
“Në punën e divizioneve civile është gjetur se tanimë kemi të bëjmë me një regres të caktuar në kuptim të trajtimit të lëndëve. Krahas problematika të theksuara të cilat kanë qenë në sistemin e drejtësisë, në këto problematika jashtëzakonisht shumë ka ndikuar edhe aspekti i institucioneve të administratës publike. Mënyra se si i kanë administruar ato obligimet e tyre e ka rënduar edhe gjendjen në sistem të drejtësisë. Po ashtu kemi gjetur edhe qasje selektive në rastet gjyqësore dhe në zbatim të standardeve të kërkuara për një gjykim të drejtë”, ka thënë ai.
Po ashtu, në prezantimin e raportit, Anesa Hoxha nga IKD u shpreh se nga viti 2018 deri në 2021, numri i lëndëve të pazgjidhura është dyfishuar.
“IKD gjatë vitit 2021 ka monitoruar 1166 raste të natyrës civile. 911 apo 78,1 për qind janë mbajtur, ndërsa 255 të tjera, apo 21,9 për qind janë shtyrë. Sipas këtyre të dhënave i bie që çdo e pesta seancë është e shtyrë. Kjo për arsyeje të ndryshme, ku ka kryesuar mungesa e paditësit.
Mirëpo, edhe për arsyeje të gjykatësve. Seancat janë shtyrë në 24,7 për qind të rasteve. Konsiderohet se një nga problemet kryesore të drejtësisë civile në Kosovë e që supozohet se kjo ngarkesë ndikon edhe në cilësinë e vendimeve civile të nxjerra nga gjykata, IKD ka gjetur se viti 2021 ka shënuar një rekord të rritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura e të cilat barten vit pas viti. Nëse e shohim kronologjikisht prej viti 2018 deri në fund të vitit 2021, numri i lëndëve te pazgjidhura pothuajse është dyfishuar. Ku derisa në vitin 2018 numri ka qenë 44,213 lëndë, në vitin 2021 ky numër është rritur në 85, 087 lëndë”, ka thënë Hoxha.
IKD konsideron se faktor i rritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura është rritja ekspononciale e numrit të lëndëve të pranuara.
“Vetëm gjatë vitit 2021 janë pranuar 43 mijë e 536 lëndë, apo shikuar me vitin 2018 kjo i bie më shumë se dyfishi i lëndëve të pranuara gjatë vitit 2018. Shkaktari kryesor i rritjes së numrit të lëndëve si dhe rëndimi kaq i madh i sistemit gjyqësor konsiderohet të jetë administrimi jo adekuat i institucioneve të cilat janë të obliguara të përmbushin detyrimet sipas kontratave kolektive. Mos zbatimi i obligimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive nga ana e institucioneve administrative ka bërë që të drejtat që rrjedhin nga këto kontrata të fitohen vetëm përmes proceseve gjyqësore dhe kjo qasje ka rënduar tej mase sistemin e drejtësisë. Ku vetëm gjatë vitit të kaluar kanë qenë 40 për qind e lëndëve të kësaj natyre”, ka thënë ajo.
Më tej, u tha se kjo situatë rëndon edhe buxhetin e shtetit dhe numri i lëndëve të pazgjidhura i ka kontribuar edhe mos efikasiteti i gjyqtarëve.
“Gjatë vitit 2021 kanë qenë rreth 108 gjyqtarë të cilët janë marrë me lëndë kontestimore. Ku nga një gjyqtar kanë arritur të zgjidhen rreth 214 lëndë. Sipas rregullores së KGjK-së, secili gjyqtar është i obliguar të zgjidh nga 329 lëndë brenda vitit. Në këtë mënyrë një mesatare, gjyqtarët kanë zgjidhur 115 lëndë më pak se sa obligimi i tyre sipas rregullores apo 2/3 e normën e tyre orientuese”, u shpreh ajo.
Justina Frrokaj nga IKD ka folur për kohëzgjatjen e lëndëve të zgjidhura vetëm në shkallën e parë.
“Mesatarja e kohëzgjatjes së lëndëve të zgjidhura vetëm në shkallën e parë rezulton të jetë 1261 ditë. Kjo i bie që për të marrë epilog një lëndë civile, vetëm në shkallë të parë qytetarët duhet të presin 4,3 vite. Sipas të njëjtës formulë rezulton se edhe Gjykata e Apelit ka probleme të tilla të kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve. Dhe ka rezultuar në 681 ditë. Kështu nëse llogarisim në total, kohëzgjatja e një lënde civile nga dita e parashtrimit në shkallë të parë e deri në apel, ka rezultuar të jetë 5,3 vite”, ka përfunduar Frrokaj.
Po ashtu, në publikimin e raportit është thënë se gjatë monitorimit është vërejtur një rast kur është tejkaluar mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit. Ku për të njëjtën është pritur më shumë se 14 vjet.
Problematikë në drejtësinë civile është edhe tërheqja e padive, ku sipas IKD ka pasur kundërligjshmëri dhe nuk është vepruar në raport me Ligjin e Procedurës Kontestimore. /kp

Back to top button