IKSHPK: Omicron është varianti më dominues në qarkullim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë apel të qytetarët e Republikës së Kosovës për t’u vaksinuar, pasi siç njoftojnë ata, varianti Omicron është më dominuesi në qarkullim.
“Omicron (B.1.1.529) po shton intensitetin çdo ditë dhe është varianti dominues në qarkullim. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje në veçanti për kujdes dhe mosgrumbullim. Ndërsa, rekomandojmë institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave për parandalimin dhe luftimin e pandemisë”, thuhet në njoftim.
Tutje, IKSHPK lut qytetarët që të vaksinohen dhe të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat dhe të bëhet dezinfektimi i hapësirave.
“Është i domosdoshëm kujdesi i shtuar i të gjithëve që në mënyrë strikte të respektohet distanca fizike, të përdoren maskat, të bëhet dezinfektimi dhe ajrosja e hapësirave, duke pamundësuar dhe shmangur përhapjen eventuale të mëtejme të infeksionit të COVID-19. Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska! Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare”, thuhet tutje në njoftim./21Media

Back to top button