Importi më i lartë për produkte minerale

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin dhjetor 2021.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 27.8% në muajin dhjetor 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 394.9 milionë euro, krahasuar me deficitin 309.1 milionë euro në vitin 2020. Eksporti mbulon importin me 14.1%.
Eksporti i mallrave në muajin dhjetor 2021 kishte vlerën 65 milionë euro, ndërsa importi 460 milionë Euro, që është një rritje prej 39.3% për eksport dhe 29.3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit, 30.5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar, 22.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 11.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 9.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 5.1% e përbëjnë produktet minerale, 3.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import, 15.0% e përbëjnë produktet minerale, 14.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, 12.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 9.3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 8.6% e përbëjnë mjetet e transportit, 6.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre, 6.8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 17.2 milionë euro, ose rreth 26.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 43.5%. Sipas ASK-së, partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin Gjermania (9.4%), Italia (2.9%), Holanda (2.3%), etj.
Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së  ishin rreth 210.6 milionë euro, ose 45.8% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.4%. Importet me pjesëmarrje më të lartë, sipas ASK-së, ishin nga Gjermania (12.0%), Italia (7.2%), Sllovenia (4.7%), Greqia (4.3%), etj.
Në muajin dhjetor 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 22.8 milionë euro, ose 35.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-1.0%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (13.5%), Maqedonia e Veriut (13.3%), Serbia (5.4), dhe Mali i Zi (2.0%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin dhjetor 2021, arritën në 79.4 milionë euro, ose 17.3% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 14.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin Serbia (6.4%), Maqedonia e Veriut (5.2%), dhe Shqipëria (4.3%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 24.9 milionë euro, ose 38.4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden SHBA (25.9%), dhe Zvicra (6.6%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 169.9 milionë euro, ose 37.0%. Sipas ASK-së, vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (13.4%) dhe Kina (11.0%)./21Media

Back to top button