Sveçla nga takimi me Herrmann: Gjermania, aleati ynë në shtetndërtim

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla është takuar me homologun e tij,  Joachim Herrmann.
Sveçla potencoi se Gjermani është aleat i Kosovës në shtetndërtim.
“Në këtë takim kam shprehur mirënjohjen tonë ndaj shtetit gjerman, që vazhdon të mbetet aleati ynë si në shtetndërtim ashtu edhe në ngritje të kapaciteteve tona”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Në takim është biseduar për luftimin e korrupsionitm, krimit të organizuar e zhvillimin socio-ekonomik. Sipas ministrit, anëtarësimi në BE e Interpol vazhdon të jetë prioritet.
“Biseduam për prioritetet tona në luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin socio-ekonomik veçanërisht tani gjatë përballjes me pandeminë Covid-19. Liberalizimi i vizave për qytetarët tanë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në Interpol janë synimet tona për të cilat e njoftova që jemi duke u angazhuar intensivisht për ti realizuar dhe që natyrisht kemi nevojë edhe për angazhimin dhe ndihmën e tyre. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Bavarisë dhe Policisë së Kosovës, bashkëpunimin në shkëmbim të informatave dhe zgjerim të bashkëpunimit bilateral të Ministrive tona, që padyshim do të lehtësojnë zbatimin e prioriteteve tona dhe për të gjitha këto kishte gatishmëri të plotë nga z. Herrmann”, ka shkruar tutje ministri.
Sipas ministrit, sa i përket njohës së patentë-shoferëve të Republikës së Kosovës nga Gjermania, kjo çështje është në fazën finale.
“Duke pasur parasysh që një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve tanë jetojnë në zonën e Bavarisë dhe në gjithë Republikën e Gjermanisë, biseduam për politika konkrete që lehtësojnë jetën dhe angazhimet e tyre atje. Ne tanimë jemi në fazën finale të njohjes së patentshoferëve të Republikës së Kosovës nga Gjermania dhe këta janë hapat tanë konkret në këtë drejtim”, shtoi Sveçla./21Media

Back to top button