Incidentet në ndeshjen Shqipëri-Poloni, vjen vendimi nga FIFA

Federata Shqiptare e Futbollit është njohur mbrëmjen e sotme me vendimin e marrë nga Komiteti Disiplinor i FIFA-s, në lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen Shqipëri-Poloni, e luajtur më datë 12 tetor 2021 në “Air Albania Stadium”.
Vendimi i sotëm ndëshkon Federatën e Futbollit me një gjobë prej 150 mijë frangash dhe detyron që të luajë ndeshjen e fundit eliminatore për Kampionatin Botëror “Katar 2022” pa praninë e tifozëve.
FSHF ka shprehur keqardhjen për këtë vendim të marrë dhe ka bërë të ditur se do të ndërmarë të gjithë masat e nevojshme që situata të tilla të shkaktuara nga disa individë, të mos ndodhin më në të ardhmen dhe të mos dëmtojnë kombëtaren në paraqitjen e tyre ndërkombëtare.

Gjithashtu, nga FSHF bëhet e ditur se do të vlerësojnë mundësitë për ankimimin e vendimit brenda afateve të parashikuara./21Media
Back to top button