India sulmon militantët në Kashmir në territorin pakistanez
Sulmet ajrore kishin vrarë një numër të madh militantësh
India njoftoi se ka ndërmarrë sulme ajrore kundër militantëve të vendosur në zonën e Kashmirit, në territorin pakistanez, pas sulmit me bombë ku mbetën të vdekur 46 ushtarë indianë.
BBC raportoi se sulmet ajrore kishin për objektiv një kamp stërvitor të grupit “Jaish-e-Mohammad” (JeM) në zonën Balakot.
Sekretari indian i Jashtëm, Vijay Gokhale në një konferencë për shtyp, tha se sulmet ajrore kishin vrarë një numër të madh militantësh, përfshirë edhe komandantë. Ai mohoi që në mesin e të vrarëve ka civilë.
Sipas tij, India kishte informacione të besueshme se në kampin që u sulmua po përgatiteshin të tjera sulme kundër tyre.
Mirëpo, nuk ka vonuar edhe reagimi i Pakistanit që ka ngritur avionët luftarakë. Zëdhënësi i Forcave Ajrore tha se forcat indiane shkelën linjën e kontrollit dhe detyruan ata që të reagojnë. Sipas këtij zëdhënësi, avionët indianë më pas janë larguar.