U diskutua për problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës

Hoti organizoi takim të përbashkët me​ liderët e Luginës së Preshevës

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti i ftoi të gjithë përfaqësuesit e pozitës dhe të opozitës në Luginën e Preshevës, në një takim të përbashkët në Bujanoc.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se në këtë takim u diskutua gjatë për rëndësinë e bashkëpunimit pa dallime partiake, për problemet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës si dhe me theks të veçantë lidhur me Programin Nacional për Rininë.

Hoti sqaroi qëllimin dhe objektivat e Programit Nacional për Rininë.

“Ky Program kontribuon posaçërisht në zhvillimin e dijes, shkathtësive në sport dhe në kreativitet kulturor e mendim kritik tek nxënësit pa dallim. Nëpërmjet këtij Programi, bashkimi kulturor dhe edukativ vetëm se ka ndodhur”, tha Hoti.

Kurse të pranishmit biseduan për rëndësinë e takimeve të tilla ku mund të diskutohet hapur dhe në mënyrë konstruktive. Ata e cilësuan këtë takim si një nismë shumë të qëlluar dhe mjaft domethënëse për të ardhmen e Luginës dhe në veçanti të nxënësve të kësaj ane. Po ashtu uruan që takime të tilla të përbashkëta të organizohen më shpesh.

Të pranishëm në takim ishin: z. Fatmir Hasani, Deputet në Kuvendin e Serbisë, z.Shaip Kamberi, Kryetar i Komunës në Bujanoc, z. Shqipërim Arifi, Kryetar i Komunës në Preshevë, Dr. Adnan Salihu, Kryetar i Kuvendit të Komunës në Bujanoc, z. Sami Saliu Kryetar i Kuvendit të Komunës në Preshevë, znj. Ardita Sinani, Kryetare e Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, z. Ragmi Mustafa, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare në Preshevë, z.Shqipërim Jonuzi, Kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik, z. Nagip Arifi, Kryetar i Partisë Demokratike në Luginë, z. Galip Beqir, ish-kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, z. Enver Memeti, Këshilli Kombëtar Shqiptar, Armend Aliu, nënkryetar i Komunës së Preshevës e të tjerë./21Media

Back to top button