Infektologu Vishaj tregon simptomat e Omicronit

Infektologu, Arben Vishaj këtë të martë në një prononcim për media ka thënë se me datë 20 të këtij muaji janë diagnostikuar nëntë pacientë me Omicron. Ai ka thënë se aktualisht nuk ka pacientë të shtruar me Omicron, por janë duke u trajtuar katër pacientë me COVID-19.
Një pacientë i cili ka qenë i hospitalizuar e që ka rezultuar me Omicron, ka pasur simptoma të lehtë.
“Ka qenë simptomatologji në rrugët e frymëmarrjes. Sot kemi komunikuar me pacientin dhe gjendjen e ka stabile. Ai ka ardhur nga SHBA dhe ishte i vaksinuar me Pfizer. Prania e Omicronit në rajon edhe Evropë tashmë është. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë shërbime shëndetësore pavarësisht çfarë varianti vjen. Mërgimtarët vijnë në vendin e vet dhe ne e kryejmë punën tonë siç duhet. Kryesisht simptomat e Omicronit janë, ethet, teshtima, temperatura, lodhja, vështirësi në frymëmarrje”, ka thënë ai.
Raste me Omicron janë regjistruar edhe në vendet e rajonit: Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Serbi.
Për dallim nga shtetet e tjera në rajon dhe Evropë, situata epidemiologjike në Kosovë është më e qetë dhe aktualisht janë 343 raste aktive me koronavirus.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se qytetarët të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe që kanë mbushur tre muaj që nga marrja e dozës së dytë, mund ta marr dozën përforcuese të vaksinës kundër COVID-19./21Media

Back to top button