Infermierët paralajmërojnë grevë, Shoqata e Pacientëve e shqetësuar për fatin e pacientëve

Oda e Infermierëve të Kosovës paralajmëroi grevë nga 26 shkurti, për mos plotësimin e disa kërkesave të tyre. Për po të njejtat kërkesa para disa ditësh ata ishin në protestë, mirëpo mos realizimi i tyre po sjellë grevën. Nga Oda e Infermierëve të Kosovës ka ankesa për mos mbështetje nga Federata e Sindikatave të Kosovës, e cila nuk dëgjon e as përcjellë kërkesat e infermierëve.

Pasi nuk morën asnjë përgjigje nga institucionet për këkresat e tyre të shprehura në protestën e javës së kaluar, infermierët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, paralajmëruan grevë nga 26 shkurt.

Enlirat Duraku, nga Oda e Infermierëve të Kosovës, e fajëson direkt Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për injorim të këkresave të tyre.

“Në qoftë se këta thirren në ligj e vendosin çdo ditë reklama, respektojeni ligjin ne s’po kërkojmë asgjë më shumë e as më pak sesa respektimi i ligjit, unë për qata potencova që të gjitha kërkesat që janë të listume janë derivate që burojnë nga ligji i pagave dhe i punës ku pagesa e fundjavës, e festes, e rrezikshmërisë dhe orëve shtesë dalin nga ligji i punës me % e përshkallëzume siç është e potencume aty, kur kanë me u realizu këto, një gjë është e sigurtë që greva e përgjithshme dhe bojkoti i punës nuk është një opsion i përjashtuar edhe unë ke këtë rast e falenderoj shoqatën sindikale të QKUK-së e cila përkundër federatës e cila është punë e saj dhe partner social e ka Qeverinë është dashtë një iniciativë të tillë me e marrë dhe me i mbështetë kërkesat e infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësor”, tha për rtv21 Duraku.

Infermierët e QKUK-së nuk patën mbështjetje as nga Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, pasi siç thotë Duraku, kjo Federatë as nuk ndëgjon e as nuk përcjellë kërkesat e infermierëve tek Ministria e Shëndetësisë.

“Mënyra, metodologjia e punës së federatës ka qenë e gabume. Sa i përket takimeve edhe pse është proklamu që nga muaji qershor se do të bahet kontrata kolektive, do të bahet kjo, nuk ka ndodhë. Une nuk di një informacion që ka dalë dikund në media që eshtë mbajtë një takim i vetëm brenda grupeve punuese qoftë MSH, qoftë federatës andaj ju jeni dëshmitarë që edhe gjatë protestës edhe pas Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, nuk ka dhanë asnjë reagim të veten…jo nuk na ka mbështetë as në protestë e as në greve, shoqata sindikale e qkuk-së po”, ka thënë ajo.

Duke marrë parasysh gjendjen në sektorin e shnëdetësisë, Besim Kodra, nga Shoqata e Pacientëve, thotë se sistemi shëndetësor duhet të reformohet, asisoj që të pëfitojnë si personeli shëndetësor ashtu edhe pacientët.

“Padyshim që kjo e prekë të drejtën e pacientit sepse e kufizon qasjen e tij në trajtim shëndetësor dhe ne si shoqatë konsiderojmë se është e padrejtë për faktin se po përdoren pacientët saherë që stafi shëndetësor dëshiron t’i ngrisë pagat e tyre. Ne duhet të kuptojmë që pagat nuk janë në nivelin e dëshirueshëm, mirëpo, e kemi pa që ngritja e pagave nuk e përmirëson cilësin e shërbimit shëndetësor. Prandaj ne e konsiderojmë se ngritja e pagave qysh është bërë për stafin mjekësor nuk duhet të vazhdoj të bëhet sepse nuk e përmirëson cilësinë e sistemit shëndetësor. Nëse pagat ngriten duke mos pasur pacienti barna atëherë cili është efekti I kësaj shëndetësie”, tha Kodra për rtv21.

Formimi i drejtorisë së Infermierisë në QKUK, pagesa e shtesave të tregut dhe shtesave për nënpunës shëndetësor në sistemin publik shëndetësor, pagesa e punës gjatë uikendeve, pagesa e punës gjatë festave, pagesa e rrezikshmërisë dhe pagesa e orëve shtesë, janë gjashtë kërkesat që paraqitën mantebardhët për të mos ndodhur protesta dhe greva, nga e cila thonë se nuk do të tërhiqen pa plotësimin e tyre, thanë në Odën e Infermierëve të Kosovës./RTV21/21Media

Back to top button