​Iniesta përfundon aventurën në Japoni: Do doja të kthehesha te Barça

Tani është zyrtare, Andres Iniesta do t’i thotë lamtumirë klubit Vissel Kobe. Ish- lojtari i Barcelonës njoftoi se më 1 korrik, pas pesë vitesh, do të largohet nga klubi japonez me marrëveshje të përbashkët dhe se do të kërkojë një ekip të ri për të vazhduar të luajë.

“Si kapiten jam përpjekur gjithmonë të jem shembull”, ishin fjalët e tij të para derisa shpërtheu në lot për ndarjen e tij nga klubi japonez.

Lojtari, i cili kishte kontratë deri në janar 2024, largohet me marrëveshje të përbashkët në fund të qershorit dhe tha se do të vazhdojë të luajë diku tjetër, kur do të ishte legjitime të mendohej se do t’i jepte fund karrierës. Në fillim të këtij muaji, tashmë ishte raportuar se Iniesta do të largohej në verë, me oferta nga klube nga Lindja e Mesme dhe Shtetet e Bashkuara.

“Mendoj se gjithmonë e kemi imagjinuar se do të pensionohesha këtu, ishte dëshira e të gjithëve. Por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç i imagjinoni dhe rrugët ndahen. Duhet të thuash lamtumirë dhe nuk është e lehtë. Por nuk është një lamtumirë përfundimtare. Marrëdhënia ime me klubin do të vazhdojë ditën që do të largohem. Ky klub është shtëpia ime dhe falënderoj Hiroshi Mikitani (pronari i klubit) që respektoi dëshirën time për të vazhduar të luaj”, tha ai.

Spanjolli më pas u pyet nëse do të dëshironte të tkehej te Barcelona, gjë të cilën e pranoi se do të donte ta bënte.

“Siç e kam thënë shumë herë, do të doja të kthehesha në Barcelonë në një moment të jetës sime, por ende mendoj se jemi shumë larg nga kjo. Mbi të gjitha, shpresoj që Xavi të jetë trajner për shumë vite, ky do të ishte një lajm i madh për futbollin”, shtoi ai.

Back to top button