“Insistimi për Presidentin është një marrëzi e llojit të veçantë”

Beqaj flet për çështjen e Presidentit

Politikologu, Belul Beqaj, në emisionin “Click” të RTV21, ka thënë se insistimi në çështjen e Presidentit, është një pengesë shumë serioze për të gjithë ata që dëshirojnë ta bëjnë me të vërtetë një ndryshim kualitativ.

“Koncepti i balanceve të pushteteve në një situatë ku dihet kush është fitues e kush nuk është fitues veçmas nëse insistohet mbase me ngumlsi të paarsyeshme në çështjen e Presidentit hipotetikisht, mendoj se është një pengesë shumë serioze për të gjithë ata që dëshirojnë ta bëjnë me të vërtetë një ndryshim kualitativ”, ka thënë Beqaj.

Beqaj tutje ka thënë se kërkesa që në kuadër të balancit të pushtetit të përfshihet edhe Presidenti i Republikës “është një marrëzi e llojit të veçantë”.

“Çështja e Presidentit nëse po dakordohemi që sovrani është përcaktuar për ndryshime nuk mundet asesi në asnjë variant, mbase as në variantin më të mirë të jetë simbol i vazhdimit të pushtetit të kapur, ndërkaq kërkesa që balanci i pushtetit të bëhet hipotetikisht edhe me zotimin që në kuadër të balancit të përfshihet edhe Presidenti i Republikës është një marrëzi e llojit të veçantë”, ka thënë Beqaj.

LDK-ja nuk e pranon ndryshim e ministrive nga 12 në 14 ashtu siç kishte propozuar Vetëvendosje në ofertën e fundit. LDK insiston që për t’u përfshirë në koalicion me Vetëvendosjen duhet t’i takojnë pesë ministri, kryetari i Kuvendit dhe zotimi për postin e presidentit. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se LDK-ja nuk ka kërkuar shtimin e ministrive. Sipas tij, është i nevojshëm edhe një takim përfundimtar me Albin Kurtin ku do të vendoset nëse do të ketë koalicion apo jo./21Media

Back to top button