Inspektorati i Mjedisit gjobit Komunën e Prishtinës me 5 mijë euro

Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit ka shqiptuar gjobë në vlerë prej 5 mijë euro ndaj Komunës së Prishtinës, shkaku i zhvillimit të aktiviteteve në deponinë e inerteve në Matiqan.
Për këtë ka njoftuar Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli.
Ajo ka thënë se gjoba është për shkak të zhvillimit të aktivitetit në deponinë e inerteve në Matiqan, në kundërshtim me dispozitat ligjore për mbrojtjen e ujërave dhe mjedisit.
“Inspektorati ka konstatuar se në këtë hapësirë janë zhvilluar punime dhe depozitime të materialeve inerte pa përmbushjen e obligimeve ligjore dhe pa dokumentacionin e nevojshëm për leje ujore dhe procedura të tjera përkatëse. Përkundër vendimeve dhe urdhrave të mëhershëm të inspektoratit, aktiviteti ka vazhduar. Mbrojtja e mjedisit dhe e pasurive ujore është obligim ligjor për secilin nivel të qeverisjes. Si Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdoj të mbështes veprimet e inspektoratit dhe zbatimin e ligjit pa dallim, me qëllim të mbrojtjes së mjedisit dhe interesit publik”, thuhet në njoftim.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?