Inspektorati Policor jep detaje për arestimin e policëve për ryshfet

Të arrestuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë

Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë ka arrestuar dy zyrtarë policor dhe një qytetar tjetër për marrje ryshfeti. IPK-ja sot përmes një komunikate për media ka njoftuar se zyrtarët policor të arrestuar në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit janë L.O, dhe L.M.

“Zyrtari policor me inicialet L.O është arrestuar nga hetuesit e IPK-së me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Eshtë arrestuar edhe i dyshuari tjetër  – zyrtari policor me inicialet L.M (rreshter policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit).Rreshteri policor është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Të arrestuarve në këtë rast nga Inspektorati Policor me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

Operacioni “Ryshfeti”  është kryer në dy lokacione të ndryshme një në Prishtinë dhe tjetri në Vushtrri. /21Media 

Back to top button