“Institucionet kyçe të sektorit energjisë janë duke e implementuar planin deri në 35 milionë euro”

Ministria e Ekonomisë sot ka informuar se është në proces të realizimit të projekteve kapitale me qëllim të implementimit të planit të investimeve deri në fund të vitit.
Sipas ME-së, projektet përfshijnë investimet në fushat strategjike të cilat janë kyçe për zhvillimin ekonomik të vendit, e për të cilat, u theksua se do të kujdesen për shpenzime të buxhetit në mënyrë që investimet të jenë të qëndrueshme dhe me përfitime për interesin e përgjithshëm të Kosovës.
“Ministria është duke e implementuar planin 5.5 vjeçar të Ekonomisë Dixhitale, ku aktivitetet e parapara për implementim gjatë këtij viti do të përfundojnë në fund të vitit. Investimet kapitale të parapara për këtë vit për Parkun e Teknologjisë Dixhitale në Bërnicë janë në fazën përfundimtare. E në anën tjetër, jemi në procesin e tenderimit për investimet e parapara në Parkun e Inovacionit në Prizren. Gjatë kësaj kohe jemi në përgatitje të masave të efiçiencës për kursim të energjisë, jo vetëm në institucione publike por edhe për subvencione për qytetarët që ta ulim kursimin gjatë ditëve të ftohta të dimrit. Të gjitha këto investime dhe subvencione do të implementohen deri në fund të vitit si ndihmë për uljen e konsumit të energjisë.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Që nga viti 2015, ME ka theksuar se në Laboratorin e Institutit të Gjeologjisë janë blerë pajisje, mirëpo nuk është funksionalizuar.
“Tani me zhvillimin e termave të reja të referencës Laboratori i IGJK është në proces të tenderimit. Për më tepër Laboratori do të përdoret në bashkëpunim me Fakultetin e Gjeologjisë në Mitrovicë. Ky do të mbetet një ndër bashkëpunimet më të suksesshme në mes të një institucioni qeveritar dhe një institucioni arsimor në zhvillimin shkencor. Për më shumë, institucionet kyçe të sektorit energjisë siç janë: prodhimi, transmisioni e distribuimi janë duke e implementuar planin e tyre energjetik të vitit 2022 në vlerë deri në 35 milionë euro. Të gjitha këto investime janë për qëllime të stabilizimit të rrjetit elektro energjetik e gjithashtu për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes.”, ka bërë të ditur tutje Ministria e Ekonomisë.
Ndryshe, KEDS kishte njoftuar dje se kishte pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispeçerike e Kosovës, pjesë e KOSTT-it, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës. Këto kufizime, sipas njoftimit, në bazë të planit të dërguar ishin planifikuar të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumatorët. Pra, konsumatorët sot gjatë ditës kanë pasur nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime.
Ndërkaq, Shqipëria e ka ndihmuar Kosovën, me ç’rast është rikthyer furnizimi me energji elektrike./21Media

Back to top button