Institucionet s’kanë informata se Serbia ka bllokuar mallrat evropiane me destinacion Kosovën

Institucionet nuk kanë pranuar zyrtarisht informatën për këtë veprim të palës serbe

Gjatë ditës së sotme në media janë bërë raportime se Serbia ka marrë vendim që t’u ndalojë qarkullimin në rrugët e saj mallrave evropiane që kanë për destinacion Kosovën. Institucionet kosovare nuk kanë pranuar zyrtarisht informatë për këtë veprim të palës serbe.

Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganës, ka thënë për kp se nuk kanë informatë për këtë gjë, duke shtuar se fluksi nga Serbia ka qenë shumë i ulët. Tutje, Stavileci ka kujtuar se mallrat nga Evropa për në Kosovë kanë shumë rrugë të tjera për qarkullim, përveç Serbisë.

As në kabinetin e Qeverisë së Ramush Haradinajt nuk kanë pranuar këtë informatë. Kështu ka thënë përmes telefonit për KP, Avni Arifi, këshilltar i kryeministrit.

Sipas Arifit, nëse Serbia ka ndërmarrë këtë veprim, atëherë vetëm se do të shtonte tensionet e krijuara së fundi me rritjen e taksës në 100% nga Qeveria Haradinaj për mallrat serbe.

Back to top button