Irani arrestoi 100 persona për helmimin e nxënësve, dyshohet për lidhje me iranianë në Shqipëri

Më shumë se 100 persona janë arrestuar në Iran në lidhje me helmimin serial të nxënëseve, sipas Ministrisë së Brendshme të shtunën.
Sipas njoftimit, më shumë se 100 njerëz u “identifikuan, arrestuan dhe hetuan”, në Teheran, Qom, Zanjan, Khuzestan, Hamedan, Fars, Gilan, Azerbajxhan Perëndimor, Azerbajxhan Lindor dhe Razavi Khorasan.
Të paktën 1,200 nxënëse janë pranuar në spitale në disa qytete iraniane në muajt e fundit pasi u ankuan për simptoma të rënda të lidhura me helmimin. Disa raporte e kanë rritur edhe më shumë shifrën e shtrimeve në spital.
Presidenti Ebrahim Raisi ka urdhëruar ministrin e Brendshëm, Ahmad Vahidi të hetojë sëmundjen misterioze, pasi ajo shkaktoi valë tronditjeje në të gjithë vendin dhe nxiti protesta nga prindërit e shqetësuar.
Ministria, duke cituar rezultatet paraprake të hetimit, tha se arrestimet e bëra në këtë rast përfshijnë njerëz që “për shkak të ligësisë apo aventurës dhe që synonin të mbyllnin shkollat” përdorën “substanca me erë të keqe dhe të padëmshme” që rezultuan në helmime.
Në deklaratë thuhet se të arrestuarit përfshijnë ata “me motive armiqësore” dhe “qëllimin për të futur terror te njerëzit dhe studentët” dhe “mbylljen e shkollave dhe krijimin e armiqësisë ndaj sistemit”, ndërsa iu referua “lidhjeve të mundshme” të tyre me Organizatën Muxhahidin e Khalq. (MEK), një grup opozitar iranian me bazë në Shqipëri.

Back to top button