Irani: Nuk kthehemi në marrëveshje pa heqjen e sanksioneve amerikane

Bashkimi Evropian ka njoftuar se bisedimet bërthamore në Vjenë do të rinisin nesër. Irani ka thënë se e konsideron heqjen e sanksioneve amerikane si “vijë të kuqe” në negociatat me fuqitë botërore, për të zbatuar sërish marrëveshjen bërthamore.
Më 2015, Teherani kishte arritur marrëveshje me fuqitë botërore për kufizim të aktivitetit bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Mirëpo ish-presidenti amerikan, Donald Trump ishte tërhequr nga marrëveshja më 2018 dhe ka rikthyer sanksionet, duke bërë që Irani gradualisht t’iu shmanget zotimeve të bëra në marrëveshje.
Të dyja palët kanë mbajtur tetë runde të negociatave indirekte në Vjenë – prej prillit të vitit të kaluar – me qëllim të ringjalljes së marrëveshjes.
“Çështja e heqjes së sanksioneve dhe ajo që Irani të përfitojë nga kjo gjë, përbëjnë vijë të kuqe për Iranin në bisedime”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh, në një konferencë për media në Teheran.
Uashingtoni ka njoftuar se ka rikthyer disa masa kundër sanksioneve – të hequra nga Trump – hap që sipas Teheranit ka qenë i pamjaftueshëm.
“Uashingtoni ka vendosur të marrë një hap që nuk ka ndikim në situatën ekonomike të Iranit… një qeveri e përgjegjshme (amerikane) duhet të kthehet në marrëveshje dhe të zbatojë obligimet”, ka thënë Khatibzadeh.
Bisedimet në Vjenë janë ndalur më 28 janar, pasi negociatorët janë kthyer në kryeqytetet respektive për konsultime.
I dërguari i posaçëm amerikan për Iran, Robert Malley, ka thënë më se ai do të kthehet shpejt në Vjenë, duke insistuar se pakti mund të ringjallet.

Back to top button