Ish-deputeti i LDK-së dhe një i akuzuar tjetër lirohen nga akuza për keqpërdorim me vota

Ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj janë liruar nga akuza për keqpërdorim me vota për zgjedhjet e shkurtit 2021. Sipas gjykatës nuk është provuar se ata kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin nga Prokuroria Speciale.

“…nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale  për të cilën akuzohen andaj të njëjtit lirohen nga akuza”, tha kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shpallja e aktgjykimi është bërë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në prezencë të akuzuarve Gashi, me mbrojtësin, avokatit Admri Kurmehaj dhe Balajt me mbrojtësin, avokatin Xhafer Tahiri ndërkaq nuk ishte askush në shpallje nga Prokuroria Speciale.

Gjithashtu gjykatësi i rastit Konxheli njoftoi se shpenzimet e procedurës bien në barrë të buxhetit të gjykatës derisa pala e pakënaqur ka të drejtë ankese prej 30 ditësh pasi të pranohet aktgjykimi.

Shkumbin Gashi ishte betuar si deputet në Parlament në shkurt 2020 pasi i ishte liruar vendi nga Besian Mustafa i emëruar në pozitën e Ministrit në Qeverinë Hoti.

Më 4 prill 2024 gjykata kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor me arsyetimin se duhet të verifikohet koha e shkrepjes së dy fotografi në të cilën pretendohej se shiheshin të akuzuarit dhe se duhej të dëgjohej përfaqësuesi i KQZ-së

Në seancën e 2 shkurtit 2024 pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit Kushtrim Gjevukaj, ndaj tij gjykata kishte veçuar procedurën penale, pasi që bëhej fjalë për një vepër tjetër penale.

Më 31 janar 2023, ishte aprovuar marrëveshja për pranim fajësie, ku i akuzuari Milot Blakaj ishte dënuar me 20 muaj burgim me kusht.

Back to top button