Ish-Guvernatori: “Komercijalna Banka” më 2022 kishte paralajmëruar mbylljen në Kosovë

Ish-Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka dhënë detaje në lidhje me mbylljen e degëve të bankës “Komercijalna Banka” në Kosovë.

Ai ka thënë se “NLB Banka Beograd” dhe “Komercijalna Banka Beograd” janë bërë bashkë më 22 maj 2022.

Ndërkaq, rreth degëve të “Komercijalna Banka”, që kanë qenë në Kosovë, ai thotë se në kohën sa ka qenë drejtues i BQK-së, e ka përcjellë procesin nga afër së bashku me investitorët sllovenë, partnerët dhe miqtë.

“Investitori ‘NLB Group’ kishte paralajmëruar se do të mbyllte filialet e kësaj banke në Kosovë, për shkak se i njëjti ka në pronësi bankën ‘NLB Prishtina’. Unë në takimet që i kam pasur në përfaqësues të ‘NLB Group’ kam shprehur gatishmërinë të japim kontributin tonë. Një gjë dua të sqaroj se në takimet që kemi pasur me sllovenët, BQK u ka sugjeruar që të blejnë në tërësi aksionet. Ata janë pajtuar që likuidimi i ‘Komercijalna Banka’ të bëhet në mënyrë vullnetare gjë që ndodhi këto ditë”, ka thënë Mehmeti në një postim në Facebook.

Më 31 janar, BQK-ja njoftoi se “Komercijalna Banka AD Beograd”, dega në Mitrovicë, ka përfunduar vullnetarisht veprimtarinë bankare të shërbimit me klientë.

Back to top button