Ish-polici dëshmon publikisht në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

M.M., ish-zyrtar policor, që deri së fundi kishte qenë dëshmitar anonim i Prokurorisë në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviqit, ka dhënë versionin e tij para gjykatës në Prishtinë.
Këtë dëshmi, me kërkesë të tij, M.M. ka vendosur ta jap publikisht.
Dëshmitari tha se nuk pajtohet me deklaratën e hartuar nga ish-prokurori i rastit, pasi që e njëjta ka qenë më e zgjeruar dhe nuk është në përmbajtje të deklaratës.
Në pyetjen e trupit gjykues se a ishte kërcënuar nga dikush prej fillimit të këtij rasti e deri më sot, i njëjti tha që kurrë nuk ishte kërcënuar nga askush asnjëherë.
“Asnjëherë nga askush nuk kam pasur kërcënime, që nga dita e parë e deri më sot” – tha dëshmitari M.M.
Tutje M.M. shtoi se nuk ishte kërkesa e tij por e ish-prokurorit asokohe, për ta shpallur atë si dëshmitar mbrojtës, për shkak të punës të cilën ky i fundit e bënte, si zyrtar policor.
Në fund të dëshmisë së tij, ai tregoi që e njihte Ivanoviqin dhe se nuk kishte pasur kurrfarë raporti më të.
Në seancën e ardhshme është paraparë që të dëgjohen versionet e dëshmitarëve të tjerë në lidhje më këtë rast
Prokuroria po akuzon Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, në cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.
Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.
Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.
Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.
Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.
E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.
Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP.
Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.
Dy policët Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur./kallxo

Back to top button