Ish-presidenti Sejdiu thotë se sovraniteti dhe integriteti janë të shenjta dhe duhet të ruhen

 
Fatmir Sejdiu, i cili në kohën kur u shpall Pavarësia e Kosovës ishte president, ka thënë se 17 Shkurti i 2008-ës do të mbetet përjetësisht si përmbyllje e përpjekjeve të pareshtura të popullit shqiptar për liri, pavarësi e demokraci.
Në 14-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, ish-presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se sakrificat e popullit shqiptar për të bërë Kosovën jo vetëm të pavarur, por edhe vend të jetueshëm e me dinjitet ishin të përhershme. “Ato u ngjizën me secilin, e tek secili, dhe si të tilla i gjejmë përherë në rrethana të ndryshme dhe në forma të ndryshme”.
Sejdiu ka thënë se liria dhe pavarësia ishin parakusht për dinjitetshmëri individuale e kolektive. “Në këtë frymë veçojmë përpjekjet e veçanta që u bënë në kuadër të rezistencës paqësore, të cilat pa asnjë dilemë se u bënë bazament i shtetit të sotëm”.
Sejdiu tutje ka thënë se përpjekjet paqësore që prijës patën ish-presidentin Ibrahim Rugova, i cili në të gjitha rrethanat ishte insistues dhe konsistent në trinomin liri, pavarësi, demokraci, që dhanë si rezultat 17 shkurtin e vitit 2008.
“Mbajtja e jetës në rrethana të jashtëzakonshmes, ishte alternative e vetme për mundësimin e jetës në rrethana të zakonshme. U jetësuan projektet me peshë tejet të rëndësishme, të cilat mbajtën gjallë arsimin, shëndetësinë, mirëqenien dhe funksionalitetin politik, të cilat përveçse patën rol krucial në ruajtjen e jetesës dhe mbijetesës brenda kufijve, gjithashtu mundësuan edhe realizimin e projekteve më racionale në kuadër të shoqërive, lirisë dhe pavarësisë. Përpjekjeve paqësore iu shtua edhe rezistenca e armatosur me në krye Adem Jasharin, i cili deri në dhënien e vetes sakrifikoi çdo gjë për liri. Prandaj, sot më shumë se kurrë duhet të dimë ta ruajmë dhe ta zhvillojmë atë që nuk ishte e lehtë të arrihej. Sot, si asnjëherë më parë duhet ta jetësojmë amanetin e gjithë atyre brezave që flijuan veten, për ta bërë Kosovën shtet të pavarur e sovran”, ka thënë Sejdiu.
Sejdiu ka thënë se sovraniteti dhe integriteti janë të shenjta dhe duhet të ruhen si të tilla.
“Në traditën tonë, asnjëherë nuk ka reshtur kultura e falënderimit dhe respektimit të miqve, të cilët na u gjendën në ditët më të vështira kur jo vetëm që po cenohej projekti jonë për liri, por edhe po rrezikohej vet qenia jonë. Me një kulturë të tillë falënderimi, me përpjekje serioze të bërjes sa më të mirë të shtetit tonë, dhe pa pushim kërkohet që sot e përherë të angazhohemi të gjithë ta bëjmë Kosovën tonë vend të të gjithëve e për të gjithë, me mundësi të barabarta, me zhvillim ekonomik e me të ardhme të sigurt në familjen europiane”, ka shkruar Sejdiu në Facebook.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në ora 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik./21Media

Back to top button