Si e festojnë 17 shkurtin ish-krerët e UÇK-së, për RTV21 flasin nga Haga

Kosova feston sot 14-vjetorin e pavarësisë. Disa nga liderët politikë që gjenden në paraburgim në Hagë, ishin pjesë e shpalljes së saj më 17 shkurt 2008. Por, edhe sivjet Hashim Thaçi së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Salih Mustafën dhe krerët e organizatës së OVL-UÇK-së, Hysni Gucatin e Nasim Haradinaj kjo festë po i gjen larg vendit dhe familjes.
Portali rtv21.tv kontaktoi me Gjykatën Speciale në Hagë për të kuptuar se si do ta festojnë ditën e Pavarësisë ish- krerët e UÇK-së.
Udhëheqësja e Njësisë së Informimit dhe Komunikimit Publik në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, për portalin rtv21.tv tha se të paraburgosurit mund të festojnë së bashku, por nuk dha detaje për arsye të “privatësisë”.
“Njësia e Menaxhimit të Paraburgimit e DHSK-së siguron mirëqenien e të paraburgosurve në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur. Të paraburgosurve u ofrohet mundësia të kalojnë kohën së bashku dhe të festojnë festat dhe rastet e veçanta në përputhje me Rregullat dhe Rregulloret e objektit të paraburgimit. Për arsye të privatësisë, ne nuk mund t’ju japim ndonjë detaj se si do ta festojnë ata Ditën e Pavarësisë së Kosovës”, tha Griep për rtv21.tv.
Ky është përvjetori i dytë që Thaçi dhe të tjerët e festojnë ditën e Pavarësisë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./21Media

Back to top button