Ismaili merr pjesë në Ministerialin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi Zonën e Vetme të Pagesave të BE-së

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili ka marrë pjesë në Ministerialin në kuadër të Procesit të Berlinit “BP6 drejt Zonës së Vetme të Pagesave të Bashkimit Evropian (SEPA)”, i cili në Tiranë ka mbledhë ministrat dhe guvernatorët e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë takim të nivelit të lartë prezent ishin edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe akterë të tjerë të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Guvernatori Ismaili gjatë këtij takimi ka prezantuar aktivitetet e ndërmarra nga BQK-ja dhe ato në proces që mundësojnë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në skemën SEPA, duke nënvizuar përfitimet ekonomike dhe financiare.

“Sipas Guvernatorit Ismaili, BQK-ja është duke ndërmarrë veprime drejt avancimit dhe përafrimit të legjislacionit dhe infrastrukturës, për të plotësuar kriteret për anëtarësim në SEPA, në pajtim me objektivat e Planin Strategjik 2024-2028. I pari i BQK-së nënvizoi se zhvillimi i sistemit kombëtar të pagesave të shpejta “instant” dhe objektivi final i lidhjes me sistemin TIPS, do të kenë ndikim të rëndësishëm në ekonomi, veçanërisht për lëvizjen e lirë të kapitalit me partnerin më të madh të Kosovës, Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën për media të BQK-së.

Tutje, bëhet e ditur se në kuadër të këtij takimi ndërkombëtar, vendet e Ballkanit Perëndimor u zotuan të ndërmarrin hapa konkret drejt plotësimit të kritereve për anëtarësim në SEPA, i cili do të lehtësonte tregtinë në të gjithë rajonin dhe me BE-në, duke mbështetur lëvizjen e kapitalit, aktivitetin ekonomik dhe një sistem inovativ, të sigurt dhe efikas të pagesave./21Media

Back to top button