Kryen pagesë me 50 euro false në një lokal dhe ikë, arrestohet 18 vjeçari në Ferizaj

Ëshë arrestuar një burrë, 18 vjeçar, për shkak që në një lokal ka kryer pagesë me 50 euro false dhe është larguar në drejtim të panjohur, mbrëmjen e së mërkurës në Ferizaj.

Drejtoria Rajonale e Policisë së Ferizajt përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se pas shoqërimit të dyshuarit në stacionin e policisë i janë gjetur edhe pesë monedha me nga 50 euro të cilat dyshohet të jenë të falsifikuara, që janë konfiskuar si prova materiale.

“Me datën 28.02.2024, rreth orës 23:00 policia e stacionit në Ferizaj ka pranuar një informacion se në një lokal, në rrugën ‘’Bajram dhe Gursel Sylejmani’’ në Ferizaj, një person kishte kryer pagesën e shërbimeve me një kartëmonedhë të dyshuar prej pesëdhjetë (50) euro dhe ishte larguar me një veturë me targa vendore në drejtim të panjohur. Pas një pune intensive në terren, grumbullimit të informacioneve dhe shikimit të kamerave të sigurisë, kanë arritur të identifikojnë automjetin Golf VI dhe të dyshuarin A.M ( M/K) i moshës 18 vjeçar, të cilin në ora 01:30 të datës 29.02.2024 e kanë shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, ndërsa i janë gjetur edhe pesë (5) kartëmonedha me nga pesëdhjetë (50) euro të dyshuara si të falsifikuara, të cilat si provë materiale janë sekuestruar”, thuhet në komunikatë.

Tutje, bëhet e ditur se pas intervistimit nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit i dyshuari është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore.

Rasti është cilësuar “Falsifikim i parasë’’, ndërsa policët hetues nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet./21Media

Back to top button