Ismaili tregon kur do të jenë të mirat e para nga sigurimet shëndetësore

“Në aspektin organizativë është përfunduar duke zgjedhur bordin, drejtorin dhe administratën”

​Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka deklaruar se sigurimet shëndetësore do të përfundojnë deri në fund të vitit 2019, ndërsa, në fund të gjashtëmujorit të parë të këtij viti, qytetarët do të kenë mundësi t’i marrin barnat jashtë spitalore.

Ismaili në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se në aspektin organizativë është përfunduar duke zgjedhur bordin, drejtorin dhe administratën.

“Sigurimet shëndetësore do të përfundojnë deri në fund të vitit 2019, pra ashtu e kemi planifikuar….me përgatitjen e fondit për sigurime shëndetësore ne do të realizojmë edhe barnat jashtë spitalore gjatë gjashtë muajve të parë, deri në përfundimi të 6 muajve të parë, do të realizojmë barnat jashtë spitalore që do të jenë shërbimi i parë i fondit, ku qytetarët tanë do të jenë në gjendje të marrin barna nëpër barnatore për sëmundjet të cilat i kanë dhe për të cilat dakordohemi ne”, ka thënë ai.

Kuvendi i Kosovës po mban seancën, në të cilën përveç shqyrtimit për herë të parë të projektligjit mbi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019, do të shqyrtohet edhe raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për vitin 2017. Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë edhe projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Familjen i Kosovës.

Back to top button