Ismajli: Institucionet qendrore e harruan 15 janarin

 

Në 22 vjetorin e masakrës së Reçakut, sot Kuvendi Komunal i Shtimes mbajti mbledhje përkujtimore, ku u tha se kjo masakër është çmimi për lirinë që sot e gëzon Kosova.

Mos organizimin e ndonjë aktiviteti për ta shënuar këtë përvjetor nga institucionet qendrore e kritikoi kryetari i komunës së Shtimes, Naim Ismajli. Ai tha se këtë vit 15 janari është harruar nga institucionet qendrore, derisa tha se aktivitet për këtë ditë organizohen nga presidenca e vendit.

“Është kohë pandemie dhe të gjithë e dimë, pandemia na kufizon në tubime, pandemia na obligon që të respektojmë masat dhe protokolin, por pandemia nuk na obligon apo nuk na thotë që ta harrojmë historinë. Mjerisht këto ditët e fundit sikur institucionet tona qendrore harruan komplet 15 janarin. Nuk kishte asnjë zë edhe pse kjo ngjarje është dhe organizohet nën protokollin e presidentit dhe ne nuk kemi të paktën asnjë lëvizje, asnjë komunikim, të paktën sqarim se si do të organizohet, por Komuna e Shtimes, Reçaku nuk mund ta harrojë kaq lehtë dhe ne e kemi organizuar në mënyrën modeste për të treguar se vlera e Reçakut nuk ka çmim dhe është më e shtrenjta, sepse ajo bëri kthesë në histori. Në Reçak u filluan mbi 40 martirë”, tha ai.

Ismajli tha se tmerri i përjetuar 22 vjet më parë në Recak pati si dëshmitar ambasadorin William Wolker, të cilin tha se e falënderon për guximin dhe fjalën e drejtë e të vërtetën që e ka treguar. Ai tha se edhe në atë kohë edhe tash 22 vite pas masakrën e Reçakut Serbia tenton ta shtrembërojë.

“Këtë ngjarje po e përkujtojmë edhe me një mungesë të madhe të protagonistëve kryesor të cilët e bënë luftën, e udhëheqë luftën, e sollën lirinë, e shpallen pavarësinë, i dhanë kahje zhvillimit dhe ndërtimit dhe integrimit të Kosovës në gjithë mekanizmat ndërkombëtarë, ndërtuan partneritetin dhe miqësinë. Me plotë të drejtë dhe me plot kuptim thuhet gjithandej sllogani ‘Liria ka emër’, po ka emër dhe emri i saj është Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e saj e lavdishme. Emri i saj janë të gjithë ata martirët të cilët ranë në Kosovë, emri i saj gjithsesi janë edhe këta protagonistë që sot padrejtësisht gjenden në tribunalin e Hagës”, tha ai.

Kryesuesja e Kuvendit Komunal të Shtimes, Medina Brahaj tha se në këtë 22 vjetor kujtojnë njerëzit e pafajshëm që u vranë në mënyrën më mizore vetëm pse ishin shqiptarë.

“Sot jemi mbledhur për shënimin e ditës përkujtimore të 15 janarit, shënimit të 22 vjetorit të masakrës së Reçakut. Masakra e Reçakut është çmimi i lirisë së Kosovës, Reçaku është rrëfimi i dhimbjes dhe krenarisë, është forca dhe guximi. Populli ynë në rrugëtimin e vet për liri u përballë me shumë vuajtje e sakrifica nga pushtuesit, por lufta e fundit është epopeja më e lavdishme, sa krenare po aq e dhimbshme. Dita e masakrës së Reçakut ishte ditë e dhimbjes, por edhe ditë e kthesës historike. Kjo ditë nxiti botën demokratike të rreshtohet në krahë të popullit të Kosovës për realizimin e kërkesës legjitime, liri. Ngjarja që ndodhi në këtë fshat të vogël ndryshojë përgjithmonë historinë e Kosovës, Kosovës që është amaneti i gjeneratave të tëra dhe këtë amanet ne duhet ta qojmë në vend për ta bërë shtetin e krenarisë për të gjitha ata që sakrifikuan”, tha ajo.

22 vite më parë forcat policore dhe ushtarake serbe në Reçak kanë kryer njërën nga masakrat më të mëdha ku janë vrarë e u masakruar 45 qytetarë të paarmatosur.

Back to top button