Ismet Krasniqi është emëruar këshilltar i Presidentes Vjosa Osmani
Ish-sekretari Përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Ismet Krasniqi është emëruar këshilltar i Presidentes, Vjosa Osmani.
Këtë e ka bërë të ditur vetë presidenca në një komunikatë për media.
“Këshilltari Krasniqi ka qenë mbështetës profesional i të gjitha proceseve me rëndësi të veçantë për vendin tonë, duke filluar nga Pakoja e ish- Presidentit Ahtisari, përgatitja profesionale e teknike për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë, angazhimi teknik në përcjelljen dhe kompletimin e dokumentacionit për nevojat e delegacionit tonë në GJND, si dhe përgatitjet për amendamentet kushtetuese”, ka shkruar presidenca në Facebook.
Tutje kanë shtuar se Krasniqi i ka kontribuar Kuvendit të Kosovës për afro 17 vite me përkushtim e profesionalizëm.
“Një kontribut të veçantë z. Krasniqi e ka dhënë edhe në sigurimin e prezencës së komunitetit të donatorëve në Kuvend dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile në punën e Kuvendit”, thuhet në njoftimin për media.
Ndërsa Osmani i ka uruar mirëseardhje Krasniqit dhe ka theksuar se angazhimi i tij është vlerë e shtuar për Kabinetin, ngase ai bart pas vetes një përvojë të gjatë institucionale e profesionale./21Media