Italia mbështet shkëputjen e Rusisë nga SWIFT-i

Italia ka sinjalizuar se do të mbështesë marrjen e masave për dëbimin e Rusisë nga sistemi global i pagesave SWIFT, si pjesë e sanksioneve të mëtejshme të Bashkimit Evropian kundër Moskës për pushtimin e Ukrainës, tha të shtunën zyra e kryeministrit Mario Draghi.
Gjatë një bisede telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Draghi tha se “Italia mbështet plotësisht linjën e Bashkimit Evropian për sanksionet kundër Rusisë, përfshirë ato në lidhje me SWIFT, dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha zyra e shtypit.
Draghi i shprehu Zelenskit solidaritetin dhe mbështetjen e Italisë për të dhe popullatën ukrainase “përballë sulmit nga Federata Ruse”, transmeton rtv21.tv.
Presidenti ukrainas përshëndeti deklaratën, duke postuar në Twitter “Ky është fillimi i një faqeje të re në historinë e shteteve tona Ukrainës dhe Italisë. #MarioDraghi në një bisedë telefonike mbështeti shkëputjen e Rusisë nga SWIFT, dhënien e ndihmës mbrojtëse. Ukraina duhet të bëhet pjesë e #BE”.
Draghi tha gjithashtu se Italia do t’i japë Ukrainës ndihmë për t’u mbrojtur, sipas zyrës së tij, dhe të dy udhëheqësit ranë dakord të qëndrojnë në kontakt të ngushtë në të ardhmen e afërt./21Media

Back to top button