Ivanov përsëri e kushtëzon mandatin

Gjorgje Ivanov kërkon garanci!

Kryetari i shtetit Gjorgje Ivanov përsëri kërkoi garanci për ruajtjen e karakterit unitar të shtetit para se t’ia dorëzojë mandatin Zoran Zaevit për formimin e qeverisë. Në kumtesën e shkurtër të kabinetit të Ivanovit, thuhet se e ashtuquajtura Platformë e Tiranës ose çdo veprim tjetër antikushtetues nuk mund të jetë bazë për formimin e qeverisë.

“Kryetari Ivanov pret nga lideri i LSDM-së t’i qëndrojë fjalës së shprehur publikisht se bashkë partnerët e koalicionit do të ofrojnë garanci për përforcimin e unitarizmit të shtetit dhe se gjithçka do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë”, thuhet nga Kabineti i Kryetarit të RM, shkruan TV21.tv

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev para disa ditëve, si i ftuar në TV21 deklaroi se është i gatshëm të bisedojë me Ivanovin dhe të ofrojë garanci se karakteri unitar i vendit nuk do të cenohet.

“Do të shkoj edhe një herë dhe në mënyrë të qartë dhe decide do të ofroj garanci se do të ruhet karakteri unitar dhe se gjithçka do të jetë në përputhje me Kushtetutën. Maqedonia do të mbetet shtet multietnik e jo dyetnik. Do ta garantoj sovranitetin e vendit. Askush nuk kërkon që këto gjëra të cenohen”, tha Zaev.

Pasi nga kabineti i kryetarit të shtetit përsëri kërkuan ofrim të garancive, LSDM porositi se Ivanov tanimë nuk ka kurrfarë justifikimesh.

“Nuk ekzistojnë kurrfarë pengesash. Nuk ka asnjë logjikë dhe arsyetim që Zaevit mos t’i jepet mandati. Ai duhet sa më parë të dorëzohet. Qytetarët tanimë kanë pasoja serioze, ndërsa ka edhe ngecje të proceseve”, tha dragi Tevdovski nga LSDM.

Nga VMRO-DPMNE thonë se është normale që Ivanov ta komentojë procedurën dhe kushtet rreth dorëzimit të mandatit.

“Është normale të komentohen procedurat rreth dhënies apo mosdhënies së mandatit nga ana e Ivanovit. Ne si parti politike presim që çdo funksionar i zgjedhur në Maqedoni ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet në vendin tonë dhe para së gjithash t’i mbrojë interesat shtetërorë”, tha Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.

Kryetari i shtetit duhet që mandatin ta dorëzojë më së voni deri më 19 maj. Ky afat filloi të rrjedhë nga dje, pas shpalljes së vendimit për zgjedhejn e Talat Xhaferit për kryetar të Kuvendit në Gazetën Zyrtare./21Media

 

Back to top button